Skip to content

Rusia mohon sulmet ajrore në stacionin hekurudhor në Kramatorsk

Kremlini mohoi sot raportimet e Ukrainës për sulmet ajrore ruse ndaj një stacioni treni në Kramatorsk, në lindje të vendit.

“Pretendimet e Kievit për sulmin vdekjeprurës me raketa ruse në stacionin hekurudhor në Kramatorsk janë një provokim dhe absolutisht nuk korrespondojnë me realitetin”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë.

Ministria shtoi se raketat Tochka-U, copëza të së cilës u fotografuan në stacionin e trenit, përdoren vetëm nga forcat e armatosura të Ukrainës.

Ministria ruse njoftoi gjithashtu se më 14 mars, ushtria ukrainase goditi qendrën e qytetit Donetsk në lindje të vendit, duke vrarë 17 civilë dhe duke plagosur 36 të tjerë.

Kramatorsk ndodhet gjithashtu në rajonin e Donetskut, një enklavë “pavarësinë” e së cilës Moska e njohu në prag të luftës.

Hekurudhat e Ukrainës sot njoftuan se sulmi me raketa ruse ndaj stacionit të trenit në Kramatorsk vrau të paktën 30 njerëz dhe plagosi më shumë se 100 civilë në pritje të evakuimit nga qyteti ukrainas.

Pamjet e publikuara nga vendi i sulmit tregojnë një numër viktimash civile të shtrirë në gjak pranë valixheve dhe gjërave që mbanin me vete.

Guvernatori i Donetskut, Pavel Kirilenko, njoftoi se stacioni është goditur me predha “Iskander”, e cila përmban municione thërrmuese.
Burimi: AA