Kancelari austriak Karl Nehammer do të vizitojë sot Moskën për të zhvilluar bisedime me presidentin rus Vladimir Putin, duke e bërë atë liderin e parë evropian që takohet me kreun e shtetit rus që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës.
“Austria është një vend neutral ushtarak, por ka një ‘qëndrim të qartë’ për luftën e Rusisë kundër Ukrainës”, shkroi Nehammer në Twitter të dielën.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të ndalojnë luftën dhe të arrijnë armëpushim në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të korridoreve humanitare dhe hetimit të plotë të krimeve të luftës.
Nehammer tha se ka informuar presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për vizitën e tij të planifikuar në Rusi.
Vizita e Nehammerit do të pasojë pas takimit të shtunën me Zelenskyyn dhe kryebashkiakun e Kievit, Vitali Klitschko në Ukrainë.
Gjatë vizitës, Nehammer përsëriti mbështetjen e Austrisë për Ukrainën dhe tha se “krimet e luftës të kryera nga Rusia nuk mund të anashkalohen”.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagimin ndërkombëtar, çoi në sanksione financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.
Burimi: AA