Thirrje ndaj Komisionit Evropian që urgjentisht të japë ndihmën për Palestinën
“Vonesa rrezikon të minojë reformat dhe dialogun e vazhdueshëm në Palestinë”,
Pesëmbëdhjetë vende të BE-së i kërkuan Komisionit Evropian që të japë urgjentisht ndihmën për Palestinën që është vonuar për shkak të polemikave në tekstet shkollore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një letër të datës 8 prill dhe të publikuar nga gazeta e lajmeve Politico të hënën, grupi i vendeve të BE-së të udhëhequr nga Irlanda shprehën shqetësime për “vonesën e vazhdueshme në dhënien e ndihmës së BE-së për Palestinën për vitin 2021 për shkak të propozimeve të Komisionit për të kushtëzuar financimin me reforma në sektorin e arsimit”.
Nënshkruesit argumentuan se financimi duhet të bëhet “sa më shpejt të jetë e mundur” sepse “Autoriteti Palestinez është në një situatë sfiduese dhe po përjeton një krizë të rëndë fiskale, e komplikuar më tej nga inflacioni i çmimeve të naftës dhe grurit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë”.
Ata theksuan gjithashtu se “kushtëzimi në një kohë kur Autoriteti Palestinez është tashmë i angazhuar në një program ambicioz të reformës arsimore, rrezikon të minojë, apo edhe të ndryshojë progresin e arritur deri më sot”.
Letra paralajmëron se vonesa “mund të dëmtojë dialogun tonë të vazhdueshëm me palestinezët për këtë dhe çështje të tjera”.
Ata gjithashtu përkujtuan se propozimi i fundit i Komisionit Evropian për lidhjen e ndihmës me kushtëzimin në sektorin e arsimit “nuk gëzon mbështetje të gjerë” midis vendeve të BE-së.
Me iniciativën e Oliver Varhelyi, komisioneri i BE-së për zgjerimin dhe fqinjësinë, Komisioni Evropian propozoi një mekanizëm kushtëzimi për ndarjen e ndihmës financiare për Palestinën.
Masa erdhi pas një polemike rreth disa teksteve shkollore që supozohet se përmbajnë tekste antisemite dhe nxitje për dhunë sipas kritikëve.
Letra është nënshkruar nga ministrat e jashtëm të Irlandës, Belgjikës, Estonisë, Finlandës, Francës, Greqisë, administratës greke qipriote, Letonisë, Lituanisë, Luksemburgut, Maltës, Polonisë, Portugalisë, Spanjës dhe Suedisë.
Ministrat pritet të diskutojnë gjithashtu çështjen në takimin e diplomatëve të lartë të BE-së në Luksemburg sot.
Burimi: AA