Skip to content

Vuçiç: Serbia dëshiron të blejë dronë Bayraktar nga Turqia

Serbia përsëriti synimin e saj për të blerë dronë luftarakë turq, teksa presidenti Aleksandar Vuçiç u zotua të forcojë më tej aftësitë ushtarake të vendit.

Vuçiç tha se gjatë bisedës së tyre javën e kaluar, ai i kërkoi presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan që të furnizonte Serbinë me mjete ajrore pa pilot Bayraktar TB2.

“Dy ditë më parë, në një takim me presidentin e Turqisë, Erdoğan, thash se duam të blejmë Bayraktar nga Turqia dhe Erdoğan më premtoi se mund t’i marrim ato”, tha Vuçiç.

Serbia në fund të vitit 2020 shprehu interes dhe plane për të blerë dronët, të zhvilluar nga Baykar.

Vuçiq në atë kohë vlerësoi Bayraktar TB2, duke shtuar se Serbia është shumë e interesuar për sistemet dhe sigurisht që do t’i blejë ato në të ardhmen.

“Ne do të forcojmë aviacionin tonë. Do të rrisim edhe numrin e dronëve”, tha Vuçiç.

Në një telefonatë të zhvilluar javën e kaluar, Erdoğan uroi Vuçiçin për fitoren në zgjedhjet presidenciale, duke thënë se ai besonte që miqësia e të dy vendeve do të forcohet më tej me solidaritet dhe sinqeritet.

Duke treguar sesi i gjithë rajoni po ndikohet nga lufta Rusi-Ukrainë, Erdoğan përsëriti gjithashtu se Turqia do të vazhdojë të bëjë gjithçka për të krijuar paqe.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për të dhënë mesazhe konstruktive dhe për të ofruar më shumë stabilitet dhe siguri në rajon në këtë periudhë të vështirë.

Aftësitë e dronëve Bayraktar TB2 në terren janë vërtetuar disa herë si nga Forcat e Armatosura Turke, si dhe nga ushtritë e vendeve që kanë blerë dronin.

Bayraktar TB2 është shitur në disa vende, duke përfshirë Ukrainën, Katarin, Azerbajxhanin dhe Poloninë. Në maj, Polonia u bë shteti i parë anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s që bleu dronë nga Turqia.
Burimi: AA