Ukraina ka refuzuar kërkesën e presidentit gjerman, Frank Walter Steinmeier, për të vizituar kryeqytetin Kiev këtë javë, duke ndërlikuar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.
Sot gjatë një vizite në Poloni, Steinmeier u tha gazetarëve se në shenjë solidariteti me Ukrainën ai dëshironte të vizitojë Kievin së bashku me liderë të tjerë evropianë,
“Isha i gatshëm për këtë vizitë, por duket se Kievi nuk e dëshiron atë dhe unë patjetër duhet të marrë shënim për këtë”, tha Steinmeier.
Presidenti gjerman tha se ishte sugjerimi i presidentit polak, Andrzej Duda, për të vizituar Kievin këtë javë së bashku me liderët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, me qëllim për të demonstruar solidaritetin e fortë të Evropës me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë.
Sot më herët, e përditshmja gjermane ‘Bild’ raportoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, kundërshtoi vizitën e homologut të tij gjerman për shkak të politikave të tij në vitet e kaluar që përkrahnin lidhje më të ngushta midis Gjermanisë dhe Rusisë.
Politikani i shquar social-demokrat shërbeu dy mandate si ministër i jashtëm, respektivisht në vitet 2005-2009 dhe më vonë në vitet 2013-2016 në qeveritë e koalicionit të udhëhequr nga kancelarja e atëhershme Angela Merkel.
Gjermania po ashtu është kritikuar nga disa se ka bërë shumë pak për të ndihmuar Ukrainën edhe pasi kërcënimi nga Rusia u bë i qartë.
Burimi: AA
