Nga: Isa Bajrami

Çdo njërit prej nesh i rastis që herë pas here të eci mbrëmjëve vonë nëpër qytet. Dikush mund të dalë të ecë për të marrë ajër të pastër pas ngulfatjes përbrenda tij prej stresit. Mirëpo juve menjëherë në mendje mund t’ju vijë dhe dikush që ecën i dehur, por ky nuk ecën, por veç sa përplaset sa andej këndej. Duke ecur mbrëmjeve vonë, a nuk keni hasur dhe ndokënd që kërkon të gjej ndonjë farmaci hapur, të marrë ilaç për tu qetësuar sadopak nga një shqetësim i ndodhur papritur? A s’po ndodh që të shtohen viruset dhe sëmundjet kohët e fundit? Mos ndoshta, kush e di, disa të panjohur nga ne, mos duan të na shohin si krijesat e fundit organike njerzore? Në këto kohë dixhitale, teknologjia është një ideologji e re për ata që duan të sundojnë njerëzimin. Por gjithësesi, kjo është një temë që kërkon mbrëmje të tëra për tu diskutuar, por ajo ç’ka dua t’ju pyes tani për tani është: më thoni a i keni vënë re sesi duken dyqanet mbyllur mbrëmjëve? A nuk duken si më të “dashur” me ne, e jo si gjatë ditës, që hapur, duken sikur duan të “gllabërojnë” sa më shumë klientë? Kanë një çehre “përulësie”, madje duken si të “ndruajtur” para nesh, sikur duan të kërkojnë “falje” në emër të pronarëve të tyre, për marifetet që ata bëjnë për të na bërë neve konsumator të produkteve që ata tregëtojnë. Shumë shoqëri të popujve të ndryshëm të botës sot në tregun e hapur global, janë veç shoqëri konsumatore, dhe përveç që nuk prodhojnë ndonjë send material konkurues, nuk kultivojnë as ndogjësend në kulturë apo në mendim, madje për më tepër, ndihen dhe të kompleksuar nga motivet e bukura kulturore të tyre të kaherëshme. Dhe në këtë vazhdë, si pa të keq fare, sikur të këmbenin kartëmonedha në ex change, i transformojnë motivet kulturore të tyre në një tjetërsim të pakuptimtë. Dhe veç ekzaltohen duke konsumuar populizëm. Ndaj dhe shpirti, e ka humbur refleksin sinjalizues brenda qënies tonë, për të na njoftuar apriori të kemi kujdes kur qënia jonë kontakton me diçka që është kundra natyrshmërisë sonë njerzore. Zërin e ndërgjegjes se, “po u deshë, duhet ta paguajmë dhe me çmimin e jetës mbrojtjen e së vërtetës”, e ka zëvëndësuar zëri i sinjalit të bankotit i cili tregon çmimin e produktit në ekranin e kasës. Pa shum ndryshim, këtij ekrani i përngjajnë dhe ekranet televizive, që ju shërbejnë kastave të ndryshme. Ndryshimi i vetëm është se, në ekranin e televizorit nuk shfaqen shifrat e pagësës që ju bëhet analistëve.

Të shumtit e analistëve të ndryshëm – edhe pse jo të gjithë- që thonë se, “jemi zëri i interesit publik”, dhe në mos qofshin kameleonë si qënie frymore, prap e ndryshojnë fytyrën simbas ngjyrave të studiove televizive kur ju duhet të flasin sipas interesit që ju kërkohet. Fjalët në mbrojtje të së vërtetës zbehen çdo ditë. Shkëlqimin e tyre sikur e kanë zëvëndësuar dritat e shumta të një dyqani. S’di, kush mund të më thotë, ç’duhen aq shumë drita në një dyqan 4 me 4 katër? Apo mos ndoshta nëpërmjet tyre duhet të kuptojmë se, mund të ketë shumë realitete të ndryshme të drejta që mund të ndryshojnë sipas hapësirës dhe kohës, mirëpo “e vërteta e qenësishme” është vetëm një, sikur hëna mbi dritat e pafund të qytetit.

Qoftë dhe në mënyrë iluzive, këtë do të doja të besoja dhe unë si qëllim në vetvete, mirëpo ajo ç’ka është më së miri reale është se, e vërteta ka pësuar transformim si në përmajtje, po ashtu edhe në përmasë edhe në thelb. Ajo tashmë është kthyer veç në imazh. Dhe është reduktuar aq shumë, saqë i ngjan një çante zonje, ku në të ka veç gjëra për një makiazh të shpejtë vetjak.

Ju natyrisht që keni parë nëpër shumë qendra teknologjike ku çdo moment ka ekrane që rrinë ndezur, “flenë syhapur”, si shoqëritë okulte, dhe veç transmetojnë gjëra pa interes. Ekrane që ju ngjajnë atyre të zotëve të mendjeve që pretendojnë se janë “open mind”. Mirëpo në të vërtetë mendjet e tyre janë mendje pa inteligjencë emocionale dhe që e kanë humbur kontaktin me “valët” e shpirtit.

Realitet tjetër interesant – por pa dalë nga konteksti i të atyre që thamë më lartë- është dhe ky fakt që, më kollaj është të hapësh një ojf sesa një biznes. Mirëpo, përkundër kësaj, edhe pse hapja e një biznesi kërkon shumë financë dhe rrisku për të fituar qëndron i brishtë, hapja e një OJF-je është shumë më e lehtë dhe s’kërkon asnjë lloj mbështetje financiare si fillim, mirëpo mbas një kohe, fitimi financiar është më i madh se ai i një biznesi që qarkullon shuma të konsiderueshme. Si është e mundur kjo? Është që ç’ke me të, drejtuesit e bordëve të OJF-vë apo OJQ-ëve fillimisht nxisin rritjen e një femoneni negativ në shoqëri, pastaj kur fenomeni majiset, shtiren sikur duan ta mjekojnë atë. Dhe për këtë, përfitojnë fonde të majme nga Bashkimi Evropian, apo organizma të tjerë nderkombëtarë. Sigurisht që nuk janë të gjitha të njëjta, dhe unë as që e kam qellim që, “duke dashur të rregullojmë vetulla, të nxjerrim sytë”, por po ashtu s’mund të themi që konstatimi nuk qëndron.

Edhe pse hipokrizia e disa prej këtyre shoqatave apo i OJF-ëve është i dukshëm, arrijnë të afrojnë shumë njerëz rreth tyre. Çfarë ofrojnë këto diçka tjetër më shumë bindëse se profetët, të cilët nuk gjenin kaq lehtë përkrahës? Mos ndoshta Luti dhe Nuhu nuk kuptonin nga marrëdhëniet sociale, ndaj ata nuk u pasuan as nga disa prej më të afërmeve të tyre? Mendohuni pak dhe mundohuni përgjigjen ta gjeni vetë. “Për të parë disa të vërteta, nuk shkohet të kërkohet ndihmë tek dyqanet Optike”. Përveç kësaj, si për ironi, të ngjashme janë edhe disa parti me pak mbështetës, pothuajse inekzistente, madje më shumë priten fatura në një bakall lagjeje, sesa vota jipen për këto parti. Mirëpo, këto parti qarkullojnë miliona para. Po më pyesni sesi është e mundur të ndodh kështu edhe me këto subjekte? Prap ju them se, e vërteta ndonjëherë duhet gjetur vetë. Kështu që dhe unë, në rrugetimin për të gjetur të vërtetën, -“pa ia dhënë mendjen time askujt me qira”, do hyj në një argjendari dhe do pyes se nga ku e sjellin floririn, dhe zinxhir pas zinxhiri pyetjesh, do arrij derisa të mësoj se në cilën pjesë të botës është nxjerrë lënda bruto e arit, dhe pastaj, ndoshta, do të shkoj të izolohem si mistik atje, në natyrën ku ndodhen minierat. Po ashtu duhet thënë se, “në udhëtimin për te e vërteta, nuk ka guidë në një agjensi udhëtimi”.

Mesa kam dëgjuar, thonë se shumë investime sot në vendin tonë bëhen për pastrim parash. Shihni, edhe e pista, sado që të duket joshëse, prap ka nevojë për pastrim. Madje e vërteta për mendimin tim, nuk mund të jepet as me prokurë siç mund të jepet një objekt, ajo veç mund të lihet emanet, do të thoja unë.

Po të tentosh të vjedhësh një dyqan të çfarëdoshëm në mbrëmje, ai ka sistem alarmi aq të fortë uluritës, saqë mund të zgjohet një qytet i tërë. Ndërsa kur neve na vjedhin politikanët në mes të ditës, shoqëritë civile, veç sa shtiren për oponencë ndaj qeverisë. Madje dhe vetë ne jemi aq indiferent saqë, më shumë tregojmë kujdes mos të rrezojmë një maniken kauçuku përtokë në një butique, sesa ndjejmë dëshpërim kur dikujt të pafajshëm i bie fytyra përtokë në çastin kur humb jetën prej krimit të organizuar.

Por ka dhe gjëra të bukura pozitive në shoqerinë tonë. A i keni parë muslimanët si mblidhen për të falur xhumanë në çdo cep të vendit tonë? A ka organizim më të madh shoqëror? Po them organizim shoqëror, jo tubim i shoqërisë civile, sepse kur themi shoqëri civile, kemi krijuar dashje pa dashje përjashtim, ndasi. Psh, qeveritarët, nënpunësit, ushtarakët apo ambasadorët etj, i bie që ti mënjanojmë. Mirëpo për xhuma mund të vijë çdo kush nga shoqëria, siç edhe vijnë, për t’ju falur Zotit, dhe të jenë qytetar më të mirë. Dhe tani që është muaj agjërimi, qindra mijra njerz, në të njëjtën kohë, ngrihen në syfyr e çelin iftar apo edhe falin Teravitë. Cila OJF apo OJQ mund të organizoj diçka të tillë? Në vendet ku İslami praktikohet më shumë se këtu, është vërtetur se, krime apo gjëra negative, më pak ndodhin në ditët e xhuma, dhe akoma më pak ndodhin gjatë muajit të Ramazanit. Shihni dritat e shtëpive që ndizen për syfyr dhe zemrat do t’ju ndriçohen, shpirtrat do t’ju gjejnë shërim në mënyrë të pakuptuar. Feja e Zotit, përveç që i ka nxjerrë njerzit nga “errësira e së pavërtetës” në “dritën e së vërtetës”, nuk është veç dritë, por edhe “Nur”.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re