Ukraina refuzon ultimatumin e Rusisë për të dorëzuar qytetin e Mariupolit, ndërsa forcat ruse raportohet se janë nisur drejt një ofensive për ta marrë nën kontroll.
Presidenti Volodomyr Zelensky tha se Ukraina nuk do të lëshojë asnjë territor, madje do të vijojë luftën kundër Rusisë edhe për 10 vitet e ardhshme nëse do të jetë e nevojshme.
Ndërsa në terren raportohet se ushtria ruse po nis një ofensivë me parashutistë nga qielli dhe armatime të rënda nga toka për të marrë nën kontroll 100 për qind qytetin e Mariupolit.
Ky qytet konsiderohet si një pozicion kyç në fushëbetejë pasi lidh perëndimin e Rusisë me rrugë tokësore me Krimenë dhe i jep përparësi të avancojë drejt qyteteve të tjera në jug të Ukrainës siç është Odesa.
Avionë bombardues të ushtrisë ruse raportohet të jenë parë në qiellin mbi Mariupolin, teksa disa raportojnë se destinacioni i tyre është bombardimi i Azovstal-it, fabrika metalurgjike më e madhe e përpunimit të hekurit dhe çelikut në Europë.
Në këtë fabrikë qëndrojnë të rrethuar nga të katër anët qindra ushtarë ukrainas të Batalionit Azov. Fabrika ka një sipërfaqe prej më shumë se 11 kilometra katrorë dhe është e mbushur me tunele e ndërtesa duke e bërë të pamundur zbulimin e pozicionit të tyre nga rusët.
Por ajo që mendohet të jetë skenari më i frikshëm mund të ndodhë. Bombarduesit rusë, në pamundësi për të goditur pozicionet individuale, mund ta rrafshojnë plotësisht fabrikën. Numri i ushtarëve ukrainas që ndodhen aty, pa armatime e pa ushqim për ditë të tëra, nuk dihet me saktësi.
Mariupoli thuajse është nën kontroll të plotë nga forcat ruse që tashmë kanë hyrë në qytet. Mijëra civilë janë raportuar të vrarë në këtë qytet e shumë të tjerë vijojnë të jenë të bllokuar.
Burimi: News Bomb
