Pas protestave kunder një grupi të ekstremit të djathtë që dogji një kopje të Kuranit në Suedi dhe planifikoi të digjte edhe kopje tjera, trazirat në këtë vend kanë vazhduar edhe natën e tretë.
Dhuna mbi këtë veprim ka shpërthyer të shtunën vonë në qytetin e Malmos, ku shumë automjete u dogjën dhe shumë protestues hodhën gurë drejt policisë.
Deri më tani është raportuar për të paktën 16 oficerë policie të plagosur dhe disa automjete të shkatërruara, ndërsa protestat kanë vazhduar edhe në periferi të Stokholmit dhe në qytetet Linköping dhe Norrköping.
Shefi i policisë kombëtare suedeze Anders Thornberg tha se demonstruesit kishin treguar një indiferentizëm ndaj jetës së policëve.
Zemërimi ndaj veprimeve të grupit të ekstremit të djathtë – që përfshinte djegien e një kopje të librit të shenjtë mysliman të enjten, dhe planifikimin për ta bërë këtë përsëri në takime të tjera, është përhapur edhe përtej kufijve të Suedisë.
Ministria e Jashtme e Irakut zhvilloi një bisedë të dielën me të ngarkuarin me punë të Suedisë në Bagdad dhe paralajmëroi se veprimi i grupit të ektremit të djathtë, mund të ketë “pasoja serioze” për marrëdhëniet midis Suedisë dhe komuniteteve myslimane në përgjithësi.
Protestat kundër planeve të Stram Kurs për të djegur Kur’anin kanë ndodhur edhe më parë, ku në vitin 2020, protestuesit dogjën makinat dhe dëmtuan dyqane gjatë përleshjeve në Malmo.
Politikani anti-musliman danez Rasmus Paludan nga partia Stram Kurs, që kishte për qëllim djegien e librit të shenjtë mysliman, ishte burgosur për një muaj edhe në vitin 2020. Ai akuzohej për vepra penale duke përfshirë racizmin në Danimarkë, si dhe ka tentuar të planifikojë djegie të ngjashme të Kuranit edhe në vende të tjera evropiane, si në Francë dhe Belgjikë.
Nacionale.com
