Autoritetet ukrainase njoftuan se 208 fëmijë kanë humbur jetën dhe 376 të tjerë janë plagosur deri më sot për shkak të sulmeve ruse.
Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës bëri të ditur përmes një deklarate me shkrim se nga bombardimet e ushtrisë ruse janë dëmtuar 1.141 institucione arsimore dhe 99 prej tyre janë shkatërruar plotësisht.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se në bazë të informacioneve aktuale, gjatë sulmeve ruse kanë gjetur vdekjen 208 fëmijë dhe janë plagosur 376 të tjerë që nga fillimi i ofensivës ruse më 24 shkurt (2022).
Kurse zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, bëri me dije se 4 autobusë evakuimi arritën të largohen nga Mariupoli në kuadër të korridorit humanitar të hapur ditën e mërkurë për evakuimin e civilëve dhe se civilët që e kaluan natën në Berdiansk, do të mbërrijnë sot në Zaporizhie.
Iryna Vereshchuk vuri në pah se puna për evakuimin e grave, fëmijëve dhe të moshuarve do të vazhdojë sot gjithashtu, ndërsa theksoi se situata e sigurisë në zonat e luftës është komplekse dhe mund të ndryshojë nga çasti në çast.
Ndërkohë, këshilltari i lartë i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Oleksiy Arestovych, raportoi se për momentin janë rreth 90.000 trupa ruse në Ukrainë.
Oleksiy Arestovych deklaroi gjatë një konference për shtyp në Kiev se 22.000 ushtarë rusë të tjerë janë duke pritur në kufirin ukrainas.
Po ashtu Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës dha informacione në lidhje me humbjet e ushtrisë ruse midis 24 shkurtit dhe 21 prillit.
“Rreth 21.000 ushtarë të njësive ruse që sulmuan Ukrainën u vranë. Në të njëjtën kohë u shkatërruan 172 avionë, 151 helikopterë, 829 tanke, 2.118 mjete të blinduara, 393 armë të rënda, 136 sisteme raketahedhës dhe 67 sisteme të mbrojtjes ajrore të rusëve”, bëri të ditur Shtatmadhoria ukrainase duke shtuar se forcat ruse humbën gjithashtu 1.508 automjete, 8 anije dhe skafe të lehta, 76 autobote karburanti dhe 166 dronë.
Më 25 mars, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë pati njoftuar për herë të fundit se në Ukrainë kanë vdekur 1.351 ushtarë rusë.
Burimi: Trt Shqip
