Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person në lidhje me vdekjen e 36-vjeçarit Ilir Marku. Ky i fundit u gjet i pajetë në një bunker në zonën e Institutit në Tiranë.
Në pranga përfundoi Mariglen Isufi, që akuzohet për veprën penale “fshehje të kufomës”.
Sipas burimeve 36-vjeçari Marku ka ndërruar jetë për shkak të mbidozës nga lëndët narkotike ndërsa ka qenë së bashku me shokun e tij.
Pas ngjarjes Mariglen Isufi është larguar për në banesë, duke e lënë mikun e tij të vetëm ndërsa vetëm të nesërmen ka shkuar sërish tek i njëjti vend ku e ka gjetur Ilir Markun të vdekur.
Trupin e pajetë të 36-vjeçarit e ka tërhequr zvarrë për 10 apo 15 metra dhe e ka futur në brendësi të bunkerit, duke e mbuluar me kartona.
Marku i gjet dje i pajetë, ndërsa familja e tij e kërkonte prej dy ditësh. Më 19 prill, i vëllai kishte bërë edhe denoncimin në policinë e Tiranës dhe kërkoi ndihmën e efektivëve për gjetjen e të vëllait.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Fshehu në një bunker trupin e shokut që kishte ndërruar jetë duke penguar zbulimin e të vërtetës, vihet në pranga 29-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
– M. I., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e dë vërtetës”.
Sipas veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi M. I., është lidhje shoqërore me shtetasin I. M., 36 vjeç, i cili u gjet ditën e djeshme, në një bunker, pa shenja jete dhe pa shenja dhune.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, më datë 17.04.2022, kanë qenë duke konsumuar lëndë narkotike, dhe shtetasi I. M., ka gjetur vdekjen, ndërsa shtetasi M. I., ka transportuar trupin e të ndjerit në bunker, duke kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
…
/faxweb
