Skip to content

Akti heroik i një 70 vjeçari, shpëton nga mbytja 9 fëmijë e 3 të rritur… shuhet vetë gjatë orvatjeve

Kishte parë një varkë që valët e detit e kishin vënë përmbys. Kur ka mbërritur atje me varkën e tij, sytë i kanë parë 12 vetë, 9 prej të cilëve ishin fëmijë. Dikur ai kishte qenë pjesë e forcave detare dhe pa u menduar gjatë është hedhur në det për të ndihmuar fëmijët fillimisht. Ka ndihmuar fëmijët të hynë tek varka e tij e gjatë përpjekjeve për të ndihmuar dy gra, ka ndërruar jetë.

Ngjarja ka ndodhur në SHBA (Florida), ndërsa media lokale atje ka konfirmuar se fjala është për një sipërmarrës, i quajtur Bob Dajks. (Bob Dykes).

Siç raportoi media lokale, 70 vjeçari ishte njeri bamirës që ndihmonte nevojtarët, dhuronte para për të varfrit. Në aktin e tij të fundit, ai arriti të shpëtojë 12 vetë nga mbytja.

Varka ku kishin qenë 12 pasagjerët ishte përmbysur për shkak të dallgëve e motit të keq. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar sesi varka nisi të marrë ujë, derisa u fundos. Fatmirësisht falë ndërhyrjes heroike të 70 vjeçarit, të 12 personat janë në gjendje të mirë shëndetësore. Autoritetet ende nuk kanë bërë publik shkakun që i ka marrë jetën 70 vjeçarit.

E shoqja e të ndjerit tregoi se Bobi ishte një njeri me zemër të artë dhe i kishte lënë amanet se nëse diçka i ndodhte, një pjesë të pasurisë së tij ta përdorte për të ndihmuar jetimë dhe gra në nevojë.