Skip to content

Arabia Saudite dhe Franca dhurojnë 30 milionë euro mbështetje për Libanin

Arabia Saudite dhe Franca do të dhurojnë 30 milionë euro për të mbështetur sigurinë ushqimore dhe sektorin shëndetësor të Libanit, i cili po lufton me krizën ekonomike.

Memorandumi i mirëkuptimit, i cili parashikon dhënien e ndihmës për Libanin, u nënshkrua nga zyrtarë të Agjencisë Franceze të Zhvillimit dhe Qendrës së Ndihmës Humanitare Mbreti Salman të Arabisë Saudite në programin e mbajtur në kryeqytetin Bejrut.

Duke bërë një deklaratë pas ceremonisë së nënshkrimit, ambasadori i Arabisë Saudite në Bejrut, Walid al-Bukhari tha: “Kjo ndihmë vjen nga angazhimi i Arabisë Saudite dhe Francës për të qëndruar pranë popullit libanez dhe për të mbështetur zhvillimin dhe stabilitetin e tyre”.

Në lajmet e agjencisë zyrtare libaneze NNA, theksohet se shuma e ndihmës që dy vendet do të japin për sigurinë ushqimore dhe sektorin shëndetësor të Libanit është 30 milionë euro.

Thuhet se fondi që do të ndahet për Libanin do të sigurohet nga institucionet e të dy vendeve përgjysmë.

– Kriza ekonomike në Liban

Libani është duke luftuar me një krizë të rëndë ekonomike, veçanërisht që nga viti 2019.

Problemi i likuiditetit të dollarit në Bankën Qendrore dhe shkrirja e rezervave valutore çuan në shpërthimin e krizave të tjera të rënda në vend.

Paga minimale, e cila ishte rreth 440 dollarë para krizës ekonomike, ra nën 30 dollarë për shkak të zhvlerësimit të lirës libaneze.

Komisioni Ekonomik dhe Social i OKB-së për Azinë Perëndimore raportoi më 7 prill se 74 për qind e libanezëve jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe shkalla e papunësisë u rrit në 44 për qind.
Burimi: AA