Kreu i Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes (SSB) të Turqisë, Ismail Demir në një intervistë për televizionin publik turk (TRT) njoftoi se planifikohet të blihet grupi i dytë i sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia.
Duke theksuar se prodhimet e industrisë turke të mbrojtjes janë në një nivel më të mirë se homologët e tyre, Demir tha se armët e prodhimit vendas po përdoren gjerësisht në operacione kundër organizatave terroriste.
Lidhur me blerjen e grupit të dytë të sistemeve kundërajrore S-400, Demir vuri në dukje se “Turqia vazhdon të zbatojë të njëjtin vendim që ka marrë që në fillim”.
Demir theksoi se synojnë që avioni luftarak kombëtar të dalë nga hangari në vitin 2023 dhe e vazhdoi kështu intervistën për TRT:
Ka kërkesë të konsiderueshme në botë për helikopterët tanë taktikë ATAK. ATAK-2 do të jetë një helikopter që do të jetë në gjendje të mbajë më shumë ngarkesa dhe të ketë më shumë aftësi taktiko-luftarake. Aktualisht konsiderohet si një nga helikopterët më të mirë në kategorinë e tij në botë.” Motoja jonë: Nëse diçka është bërë nga njeriu, ne e bëjmë atë edhe më të mirë”, shtoi ai.
Demir deklaroi se anija sulmuese amfibe prodhim vendor “TCG Anadolu” do të vihet në punë këtë vit.
“Projektuesit e avionit të lehtë të avancuar stërvitor dhe sulmues ‘Hürjet’ (i cili është gjithashtu prodhim vendas dhe fluturimin e tij të parë do ta bëjë në vitin 2023) po punojnë që ky avion të kryejë ulje-ngritje në anijen ‘TCG Anadolu’, e cila jo vetëm që do të ketë aftësi zbarkimi, por do të jetë edhe një platformë zbarkuese që transporton automjete detare, elemente tokësore dhe ajrore”,- shpjegoi Demir.
Burimi: Trt Shqip