Farija e kujton thuajse përditë, momentin kur humbi vajzën e saj. Foshnja ishte vetëm 10 muajshe dhe në prill të vitit ’99, do të ishte viktimë në mesin e 11 të vrarëve në Popovë të Podujevës.

Farija rrëfeu për “Shqiptarët për Shqiptarët”, disa detaje me të vërtetë tragjike për të bijën.

“E pata pas fëmijën e parë. Kur gjuanin dikund, thoja ‘ku ku çika’… por ajo ditë ka qenë e tmerrshme. Vajza u shpua në dy tre vende, në bark, në shpinë… Edhe zorrët përjashta ia qitën. Për mu më vështirë nuk ka patur. Një fëmijë të kesh, e të ta mbysin, ishte një masakër.”-tregoi nëna.

Farija kujton momentet kur e plagosur, doli nga shtëpia për t’u përballur me tmerrin e masakrës në Popovë, një sulm i forcave ajrore serbe kundër njerëzve të pafajshëm.

“Gjak ishte krejt oborri, të plagosurit duke bërtitur… unë vetë jam plagosur në këmbë, në dy vende. Burri ishte më keq. Dorën e kishte thuajse krejt të këputur, por e mbështeti afër trupit e iu shërua më vonë. Nuk e di sesa copa metali ka patur në kokë e mushkëri…”-tregoi Farija.

Në masakrën e 4 prillit, 6 nga 11 viktima ishin të familjes Maksuti. Mbi 10 familjarë të tjerë, përfshirë dhe fëmijë të mitur, mbetën të plagosur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re