Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi, nënshkroi një marrëveshje ndërshtetërore me presidentin e Industrisë së Mbrojtjes me kryetarin e atij institucioni, Ismail Demir, për prokurimin e artikujve dhe produkteve për shërbime mbrojtëse.

Kjo marrëveshje ka një rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Mehaj e njoftoi Kryesinë e Industrisë së Mbrojtjes për aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik dhe anëtarësim në NATO, ku ndër të tjera theksoi se përkrahja e Turqisë për Kosovën është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë proces.

Demir falënderoi për bashkëpunimin dhe konkretizimin e këtij bashkëpunimi me marrëveshje shtetërore.

Mehaj po viziton Turqinë me ftesë zyrtare të ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar.

Gjatë vizitës, përveç takimeve me Akar, ai do të zhvillojë edhe takime dhe vizita në qendra ushtarako-akademike, si dhe në kompanitë më të njohura turke në industrinë e mbrojtjes.

Ai do të vizitojë edhe Konsullatën e Kosovës në Stamboll.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re