Në deklaratën e bërë nga Gasum, distributori kombëtar i gazit të Finlandës, “Gazprom Export”, një degë e kompanisë ruse të energjisë Gazprom, tha se “Si pjesë e kontratës së furnizimit me gaz të Gasum, furnizimi me gaz natyror në Finlandë do të përfundojë të shtunën, më 21 maj 2022 në orën 07:00 (me orën e Turqisë)”.

Në deklaratë, raportohet se Gasum do të furnizojë me gaz natyror nga burime të tjera klientët e saj përmes tubacionit të gazit natyror baltik (Balticconnector) gjatë sezonit veror nga 21 maji dhe stacionet e karburantit të kompanisë do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Shefi Ekzekutiv i Gasum, Mika Wiljanen, në vlerësimin e tij mbi këtë temë, tha se është “jashtëzakonisht i trishtuar” që furnizimi me gaz natyror nga Rusia do të ndalet.

“Megjithatë, ne po përgatiteshim me kujdes për këtë situatë. Ne do të mund të furnizojmë me gaz të gjithë klientët tanë në muajt në vijim nëse nuk ka problem me linjat e transmetimit të gazit”, tha ai.

Në një deklaratë të mëparshme nga Gasum, thuhej se kompania refuzoi të paguante në rubla për dërgesat e gazit natyror.

Finlanda, e cila plotëson pothuajse të gjitha nevojat e saj për gaz natyror me importe nga Rusia, ka një kontratë furnizimi me gaz me Moskën deri në vitin 2031.

Zëdhënësi i Pallatit Presidencial të Kremlinit, Dmitriy Peskov tha gjithashtu se ata nuk kanë njohuri të plotë për të gjitha detajet e tregtisë së Gazprom me kompanitë, dhe shtoi: “Por sigurisht, ne nuk do t’i dërgojmë asgjë askujt falas”.

Inter RAO, kompania më e madhe ruse e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, njoftoi javën e kaluar se nuk do t’i jepte më energji elektrike Finlandës me arsyetimin se nuk mund të merrte pagesë.
Burimi: Trt Shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re