Luka kishte marrë dhuratën që po e priste prej kohësh. Kishte mbushur tashmë 18 vjeç dhe me padurim shkoi të bëjë xhiron me motorin e ri, një ‘Beta 300’.

Atë ditë (e shtunë 21 maj) me të ishte i ati dhe disa miq të tjerë. Kishin shkuar në një rrugë (Casine di Ostra) me fare pak trafik.

Aty ndodhi tragjedia. Për shkaqe ende të pazbardhura plotësisht nga hetuesit, i riu humbi kontrollin e motorit dhe u përplas. Il Messaggero shkruan se shumë pranë nga pika e impaktit, kishte një pusetë të dalë nga vendi, një element që autoritetet u rezervuan të japin më shumë detaje.

Babai pa të gjithë skenën. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, ndërsa ai nuk pati mundësi të bëjë dot asgjë. Luka nuk lëvizte. Në vendin e ngjarjes mbërriti ambulanca e ndërhyrja e shpejtë, por ishte e kotë. Pas disa tentativash për ta rianimuar, mjekët u detyruan të ndalojnë. 18 vjeçari kishte ndërruar jetë.

Më 17 prill Luka kishte mbushur 18 vjeç. Ishte një djalë i qetë dhe i sjellshëm, dhe kishte patur pasion motorët. Kurrë nuk kishte qenë i pakujdesshëm në timon, por duket se kjo nuk mjaftoi për të evituar tragjedinë.

Lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të të riut, përfshiu të gjitha mediat italiane. 18 vjeçari kishte lindur në Milano por prej disa kohësh ishte transferuar në Senigallia me prindërit e dy motrat. Nëna e të ndjerit është me origjinë shqiptare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re