Samiti i Medias Turqi-Afrikë, organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë me rastin e 25 majit, Ditës së Afrikës, tërhoqi interesim të gjerë në shtypin afrikan.
Agjencia e Lajmeve të Nigerit (L’Agence Nigerienne De presse) raportoi se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Afrikës kanë marrë hov vitet e fundit dhe se Turqia do të jetë një aktore e fortë në kontinent në fushën e komunikimit.
Në lajmin e “Agence Ecofin” thuhet se Turqia, e cila është ndër partnerët e rëndësishëm për vendet afrikane, është e vendosur të jetë e përhershme në Afrikë me investimet e saj në fushën e medias.
“IndependentNgr”, një nga gazetat më të lexuara në Nigeri, tërhoqi vëmendjen për marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Anadolu Agency (AA) dhe Agjencisë Nigeriane të Lajmeve (NAN), duke thënë se Turqia mblodhi në Stamboll 80 gazetarë nga 45 vende afrikane dhe bëri një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së problemeve të sektorit.
Gazeta “Sudan Bulletin”, e cila botohet në Sudan raportoi se Turqia synon të rrisë bashkëpunimin dhe koordinimin mes gazetarëve turq dhe afrikanë me samitin në fjalë.
Në samitin e mbajtur në Stamboll morën pjesë shumë përfaqësues nga Turqia dhe Afrika.
Burimi: AA


