Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen në vlerë 2,6 miliardë dollarë të helikopterëve të rëndë transportues CH-47F Chinook Egjiptit.
“Departamenti i Shtetit ka vendosur të miratojë shitjen e helikopterit të tipit CH-47F dhe pajisjeve përkatëse, me një vlerë të llogaritur prej 2,6 miliardë dollarësh, Egjiptit”, tha në një deklaratë Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes e SHBA-së.
Në deklaratë, ku thuhet se Kongresit i është dërguar një njoftim për miratimin e shitjes, theksohet se paketa e shitjes përfshin 23 helikopterë Chinook, 56 motorë rezervë dhe pajisje mbështetëse.
Në dy deklarata shtesë të bëra nga agjencia, thuhet se është miratuar po ashtu shitja e 20 sistemeve raketore HMARS me një vlerë të llogaritur prej 385 milionë dollarësh, si dhe shitja e raketës AIM-9X Block II dhe pajisjeve përkatëse me një vlerë prej 117 milionë dollarësh për Holandën.
Miratimet e Departamentit të Shtetit për shitjet e armëve thjesht nënkuptojnë se shitja është në rregull për administratën amerikane.
Nëse Kongresi Amerikan nuk e kundërshton vendimin e Departamentit brenda 15 ditëve për anëtarët e NATO-s dhe 30 ditë pune për vendet joanëtare të NATO-s, administrata fillon negociatat në lidhje me përmbajtjen e paketës me vendin për të cilin miratohet shitja.
Në përfundim të këtyre negociatave, SHBA-ja i ofron letër oferte atij vendi. Nëse oferta merr përgjigje pozitive, zhvillohet procesi i blerjes.
Burimi: AA


