Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot mbërriti në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, për një vizitë zyrtare, raporton AA, .
Erdogan mbërriti në Berlin me ftesë të presidentit gjerman Frank Walter Steinmeier, ku do të realizojë vizitën e parë shtetërore jashtë vendit pas kalimit në sistemin presidencial.
Presidenti Erdogan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdogan u pritën në pjesën ushtarake të Aeroportit Tegel nga ambasadori i Turqisë në Berlin Ali Kemal Aydın, ministri i Drejtësisë së Turqisë Abdulhamid Gül, zëvendëskryetari i përgjithshëm i Partisë AK Lütfi Elvan si dhe nga një delegacion i përbërë nga deputetët e Partisë AK dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.
Gjatë kësaj vizite tre-ditore, Erdogan do të takohet me homologun e tij gjerman Steinmeier dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.
Në vizitën e tij në Berlin, Erdogan shoqërohet nga ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca, zëdhënësi i Presidencës Ibrahim Kalın, shefi për marrëdhënie me opinionin në Kabinetin e presidenit të Turqisë, Fahrettin Altun dhe kreu i Inteligjencës turke (MIT), Hakan Fidan.
Vizita e presidentit Erdogan në Gjermani do të zhvillohet mes datave 27-29 shtator.



