Qeveria palestineze ka ngritur një padi kundër SHBA-ve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) lidhur me vendimin e qeverisë amerikane për të lëvizur ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Ministri i Jashtëm palestinez, Riyad Malki tha se rasti u dërgua në gjykatën më të lartë të OKB-së për shkak se SHBA është në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Malki tha se vendimi i SHBA shkel Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.

“Ky hap është në përputhje me politikën e shtetit të Palestinës, i cili kërkon të ruajë karakterin e qytetit të shenjtë të Jerusalemit me dimensionet unike shpirtërore, fetare dhe kulturore”, tha Malki.

Presidenti Trump shpali në dhjetor Jerusalemin në kryeqytetin e Izraelit dhe në maj dërgoi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Palestinezët kanë pohuar që Shtetet e Bashkuara kanë skualifikuar veten si një ndërmjetës neutral në Lindjen e Mesme.

Negociatat e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve janë pezulluar që nga viti 2014.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re