Të 30 anëtarët e NATO-s janë gati të ulen në tryezë për të trajtuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë në lidhje me grupin terrorist PKK, tha sot Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Komentet e shefit të NATO-s vijnë pasi Ankaraja vazhdon të kundërshtojë synimin e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me aleancën transatlantike, duke thënë se të dy vendet kanë mbështetur dhe ofruar një strehë të sigurt për terroristët, duke përfshirë anëtarët e YPG/PKK-së dhe të tjerëve.

“Të gjithë aleatët e NATO-s janë sigurisht të gatshëm të ulen dhe t’i adresojnë këto shqetësime, duke përfshirë kërcënimet që i bëhen Turqisë nga PKK, dhe këto janë kërcënime terroriste, që sigurisht, është diçka që ne po e marrim shumë seriozisht”, u tha Stoltenberg gazetarëve në Departamentin e Shtetit ku ai u prit nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

“Ne e dimë se asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk ka pësuar më shumë sulme terroriste se Turqia dhe Turqia është një aleat i rëndësishëm për shkak të, dhe jo vetëm, vendndodhjes së saj strategjike gjeografike në kufi me Irakun dhe Sirinë”, shtoi ai.

Stoltenberg tha se do të takojë zyrtarë të lartë nga Turqia, Suedia dhe Finlanda në Bruksel “në ditët në vijim”, duke shtuar se ai ka besim se “do të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara”.

Më herët sot, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se Suedia dhe Finlanda nuk i kanë dhënë ende Ankarasë përgjigje konkrete që përmbushin pritshmëritë e saj.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO më 18 maj, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Por Turqia, anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj aplikimeve të tyre për anëtarësim, duke kritikuar shtetet nordike për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste si YPG/PKK dhe FETO.

Të gjitha aplikimet për anëtarësim duhet të miratohen me unanimitet në aleancën prej 30 anëtarësh që të jenë të suksesshme.

SHBA-ja paralajmëron kundër operacionit në Siri

Blinken, kryediplomati amerikan, paralajmëroi kundër një operacioni turk në Sirinë veriore, duke thënë se “çdo përshkallëzim në Sirinë veriore është diçka që ne do ta kundërshtonim”, duke vazhduar mbështetjen e Washington-it për “ruajtjen e linjave aktuale të armëpushimit”.

“Shqetësimi që kemi është se çdo ofensivë e re do të minojë stabilitetin rajonal ashtu siç është, duke u ofruar aktorëve keqdashës mundësi për të shfrytëzuar paqëndrueshmërinë për qëllimin e tyre”, tha ai.

“Ne vazhdojmë efektivisht luftën përmes partnerëve ndaj DEASH-it brenda Sirisë dhe nuk duam të shohim asgjë që rrezikon përpjekjet që bëhen për të vazhduar mbajtjen e DEASH-it në kutinë që e vendosëm”, shtoi Blinken.

Ndryshe, presidenti Erdoğan ka thënë se Turqia do të pastrojë dy zona të Sirisë veriore pranë kufirit turk nga elementët terroristë në një përpjekje për të eliminuar kërcënimin terrorist nga rajoni. Udhëheqësi turk ka theksuar se operacioni do të synojë zonat Tel Rifat dhe Manbixh për të mbrojtur kombin dhe banorët në veri të Sirisë nga kërcënimi terrorist YPG/PKK.

PKK është një grup i cilësuar si terrorist në SHBA dhe Turqi. Por SHBA-ja ka bashkëpunuar kryesisht me YPG-në, degën siriane të PKK-së, në Sirinë veriore për të luftuar DEASH-in në rajon, hap ky që vazhdon të dëmtojë lidhjet dypalëshe.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re