Ministrat e Jashtëm të Türkiye-s (Turqisë) dhe Azerbajxhanit përshëndetën marrëdhëniet e forta midis dy shteteve teksa festojnë 30 vjetorin e vendosjes së lidhjeve diplomatike.
“Kontributi për prosperitetin dhe mirëqenien në rajonin euroaziatik është një nga prioritetet tona në politikën tonë të jashtme. Niveli i marrëdhënieve tona me Azerbajxhanin mik është shembullor”, tha kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë një pritjeje të mbajtur në Ankara me rastin e përvjetorit.
Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiye-s organizoi pritjen me rastin e “30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Türkiye-s dhe vendeve mike dhe vëllazërore”.
Në pritje morën pjesë ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, si dhe shumë ambasadorë si mysafirë nderi.
Duke cituar vizitën e ardhshme të Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov në Ankara të mërkurën, Çavuşoğlu tha gjithashtu: “Për t’u siguruar që miqtë tanë evropianë të preken më pak nga kriza energjetike, ne po tregojmë përpjekjet tona maksimale. Vendi ynë i dashur, mik dhe vëlla, Azerbajxhani është duke marrë gjithashtu një përgjegjësi të madhe në këtë drejtim”.
“Në ditët dhe javët e ardhshme, ne do të kemi takime trepalëshe me Kazakistanin dhe Turkmenistanin për të trajtuar këto çështje në lidhje me energjinë dhe logjistikën”, shtoi Çavuşoğlu.
Iniciative e Korridorit të Mesëm Trans-Kaspik Lindje-Perëndim është e një rëndësie strategjike, tha kryediplomati turk, duke vënë në dukje se ministrat e jashtëm dhe të transportit të Türkiye-s, Azerbajxhanit dhe Kazakistanit do të takohen në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku më 27 qershor.
– Marrëdhëniet Türkiye-Azerbajxhan
Bayramov uroi homologun e tij turk për ndryshimin e emrit të vendit në Türkiye në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se emri pasqyron “shprehjen më të bukur të qytetërimit, kulturës dhe vlerave turke”.
Ai kujtoi se Türkiye ishte shteti i parë që njohu pavarësinë e Azerbajxhanit, e cila u rivendos në vitin 1991 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Kryediplomati i Azerbajxhanit theksoi se niveli aktual i marrëdhënieve midis dy vendeve bazohet në “vullnetin e njerëzve dhe lidhjet vëllazërore” midis dy shteteve.
“Aleanca mes Azerbajxhanit dhe Türkiye-s ka potencial të madh politik dhe ekonomik dhe shërben për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe zhvillimit në rajon”, tha ai.
Duke folur për mbështetjen politike dhe morale të Türkiye-s ndaj Azerbajxhanit gjatë luftës së Karabakut të vitit 2020, Bayramov falënderoi Turqinë për mbështetjen e saj “të drejtë” gjatë konfliktit 44-ditor.
Türkiye ishte një mbështetëse kryesore e Azerbajxhanit gjatë luftës në Karabak, e cila shpërtheu më 27 shtator 2020 dhe përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor të po atij viti.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike të Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi ilegalisht Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone ngjitur.
Gjatë konfliktit 44-ditor, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe mbi 300 vendbanime dhe fshatra që ishin pushtuar nga Armenia për gati tre dekada.
“Bashkëpunimi dhe vendimet e Organizatës së Shteteve Turke shërbejnë për zhvillimin dhe përparimin e rajonit më të gjerë”, theksoi Bayramov.
Më 12 nëntor 2021, Këshilli i Bashkëpunimit i Shteteve Turkofolëse – Këshilli Turk – e quajti veten Organizata e Shteteve Turke në samitin e tij të 8-të në Stamboll.
Organizata përbëhet nga Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani, Türkiye dhe Uzbekistani si vende anëtare, me Hungarinë dhe Turkmenistanin si vëzhgues.
Burimi: AA


