Senatori amerikan Mitt Romney i ka bërë thirrje administratës së presidentit Joe Biden të nxisë një “hetim të plotë dhe transparent” për vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh muajin e kaluar, në një fjalim të rrallë nga një zyrtar republikan për këtë temë.

Senatori i Utah-s i dërgoi një letër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në të cilën i kërkon përgjegjësinë për vrasjen e Abu Akleh, e cila shkaktoi dënimin global.

“Ne këmbëngulim që administrata të sigurojë një hetim të plotë dhe transparent, në mënyrë që drejtësia për vdekjen e Akleh të mund të vendoset,” thuhej në letër.

Krahu përparimtar i Partisë Demokratike ishte më i zhurmshmi në thirrjet për hetim dhe shumë prej tyre drejtuan gishtin drejt Izraelit për shkak të vrasjes së Abu Akleh, e cila ishte shtetase amerikane. Al Jazeera tha se ajo u “vra me gjakftohtësi”.

Rrjeti mediatik Al Jazeera vazhdon të kërkojë një hetim të shpejtë, të pavarur dhe transparent për vrasjen e gazetares së njohur si “zëri i palestinezëve”.

Kujtojmë se dhe në ditën e varrimit të saj, forcat izraelite rrahën të pranishmit, gjë që shkaktoi dënime nga bota.

Letra e Romney bëri thirrje për një “raport të detajuar të përparimit” gjatë 30 ditëve të ardhshme.

Muajin e kaluar, dhjetëra ligjvënës amerikanë nënshkruan një letër duke kërkuar një hetim të FBI-së për vrasjen e Abu Akleh.

Prokurori ushtarak izraelit fillimisht i bëri thirrje ushtrisë për të kryer një hetim të detajuar mbi incidentin, por mediat izraelite më vonë raportuan se ushtria nuk kishte plane për ta bërë këtë.

Autoriteti Palestinez publikoi rezultatet e hetimit të tij muajin e kaluar, i cili zbuloi se forcat izraelite goditën dhe vranë qëllimisht Abu Akleh.

Vetëqeverisja e ka përcjellë rastin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re