John Hinckley, i cili tentoi të vriste presidentin e atëhershëm amerikan Ronald Reagan në vitin 1981 për t’i bërë përshtypje aktores Jodie Foster, u lirua sot, gjashtë vjet pasi u lirua nga një spital psikiatrik.

Një gjykatë kohët e fundit kishte vendosur që pas dekadash trajtimi dhe mbikëqyrjeje psikologjike, Hinckley nuk ishte më një kërcënim për shoqërinë dhe mund të lirohej nga çdo shqyrtim gjyqësor më 15 qershor.

“Pas 41 vitesh, 2 muajsh e 15 ditësh, më në fund i lirë”, ka shkruar John Hinckley në Twitter, i cili tani është 67 vjeç dhe tashmë i përfshirë në muzikë.

Më 30 mars 1981 Hinckley qëlloi presidentin republikan teksa po dilte nga një hotel në Uashington. Një nga plumbat bëri rikoshetë në limuzinën presidenciale të blinduar dhe goditi Ronald Reganin në gjoks. Nga sulmi u plagosën tre persona.

I riu i atëhershëm Hinckley, i fiksuar pas Jodi Foster nga shfaqja e filmit “Taxi Driver”, më pas deklaroi se donte t’i bënte përshtypje aktores.

Pas më shumë se 30 vjetësh në një spital psikiatrik, Hinckley u lejua të jetonte me nënën e tij në vitin 2016 në një zonë të sigurt rezidenciale të Williamsburg, 240 milje në jug të Uashingtonit.

Rregullat e kontrollit të tij gjyqësor ishin të rrepta: në veçanti, ai duhej të raportonte çdo lëvizje të tij (me rrugë, orare …), t’i nënshtrohej kujdesit të rregullt mjekësor dhe të mbante një ditar të aktiviteteve të tij të përditshme.

Atij gjithashtu iu ndalua çdo kontakt me Jodi Foster dhe të afërmit e saj, pasardhës të Ronald Reagan-it ose viktima të tjera të sulmit të tij.

Sipas dokumenteve të gjykatës, gjendja e tij mendore tashmë është “stabile”. “Nëse ai nuk do të kishte tentuar të vriste një president, do t’i ishte dhënë liri e plotë shumë kohë më parë,” tha gjykatësi Paul Friedman në shtator.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re