Skip to content

Kryediplomatja suedeze kritikon partinë vendore për promovimin e PKK-së

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde dënoi të martën një nga partitë politike socialiste të vendit për promovimin e organizatës terroriste PKK gjatë festivalit politik vjetor Almedalen Week, i cili mbahet në ishullin Gotland.

“Kjo është krejtësisht e papranueshme. Qeveria e Olof Palme që në vitin 1984 e cilësoi PKK-në si organizatë terroriste. Edhe atë me arsye të mirë. PKK ka shumë jetë të pafajshme njerëzore në ndërgjegjen e saj”, shkroi Ann Linde në Twitter, duke etiketuar ministrin e Drejtësisë, Morgan Johansson.

Linde i bëri thirrje të majtës që menjëherë të ndalojë mbështetjen e grupit terrorist PKK.

Reagimi erdhi pasi deputetët e majtë Daniel Riazat, Momodou Malcolm Jallow dhe Lorena Delgado Varas pozuan me flamuj të PKK, YPG dhe YPJ gjatë forumit politik Almedalen.

Forumi është një ngjarje ku secili prej liderëve të partive kryesore politike të Suedisë mban fjalime dhe bën propozime politike.

Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga qëndrimi i tyre i neutralitetit dhe aplikuan për t’u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në maj, vendim ky i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, Finlanda dhe Suedia premtuan se do të merren me shqetësimet e sigurisë së Ankarasë lidhur me qëndrimin e tyre ndaj grupeve terroriste PKK dhe FETO, me çka hapën rrugën e tyre për anëtarësimin në NATO.

Türkiye (Turqia) konfirmoi mbështetjen e saj të kamotshme për politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe ra dakord të mbështesë ftesën për Finlandën dhe Suedinë për t’u bërë anëtarë të NATO-s në Samitin e Madridit 2022.

Megjithatë, Türkiye, një nga anëtaret më të vjetra të Aleancës u shpreh kundër kërkesave të tyre për anëtarësim, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.

Stoltenberg ka përsëritur vazhdimisht se “shqetësimet e Türkiye-s janë legjitime” në lidhje me luftën e saj kundër PKK-së dhe grupeve të tjera terroriste dhe se NATO, Bashkimi Evropian, Finlanda dhe Suedia e konsiderojnë PKK-në një organizatë terroriste.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiye-s, organizata terroriste PKK është përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve.
Burimi: AA