Në orët e para të së premtes, një shtëpi private pranë Maternitetit të ri në Tiranë u përfshi nga flakët. Në banesë, ndodheshin një e moshuar dhe një foshnje 6 muajshe, e cila fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e flakëve e tymit.

Arsyeja sesi nisën flakët mbetet ende një çështje nën hetim, ndërsa fqinjët kanë rrëfyer për mediat momentet e tronditjes që provuan kur mësuan se foshnja kishte mbetur brenda në banesën e përfshirë nga flakët.

Një prej komshinjve, tregoi se e zgjoi e shoqja kur kishte parë tymin që po dilte. Ai tregoi se një djalë tentoi të shpëtojë fëmijën, por nuk mundi dot të hyjë për shkak të flakëve e tymit.

 “Unë po flija por më zgjoi gruaja dhe më tha po del tym nga shtëpia e komshiut. Dola jashtë takova një djalë dhe donim ta ndihmonim. Më thanë që ka fëmijën e vogël brenda, një djalë i ri u zhvesh dhe donte të futeshe brenda por ishte e pamundur të futeshe. Ai djali thirri edhe disa shokë të tjerë, ata tentuan bënë çmos që të shpëtonin fëmijën, atë që bënë ata djem nuk e bëjnë dot as ata që paguhen.

Ambulanca u vonuan pak, këto janë problemet e atyre. Ne e njoftuam menjëherë policinë. Djali nuk futej dot brenda pasi kishte tym shumë. Plaka nuk qëndronte dot vetë në këmbë dhe nuk kishte si të mbante fëmijën. U fut një zjarrfikës me maskë edhe ishte e pamundur të futeshe. Një zjarrfikës tjetër me maskë u fut dhe ndërhyri. Shumë minuta pas zjarrit ka dalë foshnja nga brenda.

Mendoj se nuk ka pasur drita dhe më tha që do t’i paguajë nesër. Kur erdha unë pashë pa drita, shpërthim bombule nuk e besoj se s’kishte.  E ëma nuk ishte dhe nuk e di përse ska qenë në banesë”, tregoi komshiu në një prononcim për Faxnews.

Një tjetër komshie tregoi se aty jetonin prej 20-30 vitesh familja.

“20-30 vjet kanë që rrinë këtu, janë njerëz të mirë dhe të urtë. Jetonte me gocën që kishte fëmijën 6-muajsh, gocën e kishte të divorcuar. Kushte siç jetojnë gjithë shqiptarët, në ato kushte ishin. Të gjithë ne i dhamë ndihmën e parë. Qante çuni i vogël me ulërima, bërtiste foshnja, ulëriste. Hyri goca brenda, por ishte e pamundur. Janulla (gjyshja) tha kam qenin, e harroi djalin. Pastaj tha ua kam foshnjën. Bërtiti. Nëna e fëmijës kishte dalë të pinte kafe. Kaq ishte gjithë skema. Tym i madh, kur dolëm ne çfarë të shikonim. Vajza mori direkt zjarrfikësen. Zjarrfikësja erdhi shpejt, por kur e kanë nxjerrë polici foshnjën po qante. E mori nipi im e futi në ambulancë, fëmija ishte gjallë. I vunë aparatet, por kishte vdekur në spital”, tha fqinja për abc.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re