Skip to content

FOTO/ Brenda thesareve të Beratit

6 tetor – Nuk ka ardhur askush në Berat dhe mos të jetë mahnitur me fasadat dhe arkitekturën e banesave monument kulture të qytetit, por pak kush e di dhe i njeh se brenda fshihen vlera të paçmuara të Trashëgimisë Kulturore. 

Ky është rasti i banesës së familjes Qako në lagjen Goricë, arkitektura dhe dekoracioni i së cilës është me vlera të veçanta jo vetëm për arkitekturën e banesës së qytetit të Beratit, por për mbarë banesën qytetare shqiptare. 

Ndërtimi nga jashtë me karakterin e mbyllur dhe të ashpër e bën të jetë e vetmja banesë e tipit kullë në Berat. 

Banesa ka pikturë murale ne brendësi, e cila ka pësuar tre faza pikturimi në kohë të ndryshme. Në pikturën e fazës së tretë shënohet edhe data 1869 me shifra latine.

Në lidhje me datimin e këtij ndërtimi, mendohet se i përket fundit të shek.XVIII. Për këtë datim na shtyn veçanërisht dekorimi i tavanit të dhomës së sipërme dhe ai i asaj të poshtme. Këto tavane i gjejmë përgjithësisht të ndërtuara nga fundi i shek.XVIII. Një tavan të tillë e shohim vetëm në 3 monumente të tjera në Berat./a.a/ /a.g/