Skip to content

Stoltenberg, reagim ndaj Juncker-it për rezikun e luftës në Ballkan: të kujdesshëm në parashikimin e së ardhmes

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg mbërriti në Zagreb të hënën nga Beogradi, ku ai mori pjesë në ushtrime të mëdha civile të NATO-s.

Ai theksoi se ushtrimet ishin të rëndësishme pasi ato tregouan se aleatët e NATO-s dhe partnerët në këtë rajon janë në gjendje për të bashkëpunuar në luftën kundër fatkeqësive natyrore, por edhe për shkak se stërvitjet e përbashkëta ulin tensionet dhe shmangin konfliktet si vite më parë.

Stoltenberg, raporton portali Dnevnik.hr, komentoi deklaratën nga Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, i cili paralajmëroi të premten një rrezik të shpërthimit të luftës në Ballkan, nëse Bashkimi Evropian lejon që të shuhet shpresa e vendeve për anëtarësim nga rajoni në BE.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm në parashikimin e së ardhmes”, tha Stoltenberg, duke mos qenë krejt dakort me deklarimet e kolegut europian.

Ai vuri në dukje se, edhe pse ka shumë probleme dhe sfida, në krahasim me vitet ’90-të në zonën e Evropës Juglindore ka shumë progres.

Kreu i NATO-s komentoi gjithashtu dhe qëndrimet më të fundit perëndimore ndaj Rusisë, me akuzat për sulme kibernetike, duke i mbështetur ato.

 “Ne e shohim se Rusia përdor taktikat hibride, duke përfshirë sulme kibernetike, për të ndërhyrë në procesin demokratik në një numër vendesh, përfshirë edhe anëtare e NATO-s, dhe për të sulmuar institucionet ndërkombëtare”, tha Stoltenberg.