Skip to content

Shënohet 77-vjetori i hedhjes amerikane të bombës bërthamore në Nagasaki

Qyteti japonez i Nagasakit shënoi sot 77-vjetorin e hedhjes amerikane të bombës bërthamore në këtë qytet.

Me këtë rast, në shenjë përkujtimi ndaj viktimave të sulmit me bombë bërthamore, në Parkun e Paqes u mbajt tubim përkujtimor, në të cilin foli kryeministri japonez Kishida Fumio.

“Pavarësisht se jemi në një mjedis të vështirë sigurie, doemos duhet të ruajmë vendosmërinë tonë për të mos përdorur armë bërthamore dhe që Nagasaki të mbetet vendi i fundit që do të sulmohet me armë bërthamore”, tha Fumio.

Kryebashkiaku i Nagasakit, Tomihisa Taue, bëri thirrje për një botë pa armë bërthamore, duke thënë se shkatërrimi i këtyre armëve është mënyra e vetme për të shpëtuar të ardhmen e njerëzimit.

Taue theksoi se diskutimet mbi çarmatimin bërthamor nuk po zhvillohen dhe se besimi në Marrëveshjen mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) është dobësuar.

Në përkujtim morën pjesë diplomatë nga vendet që kanë armë bërthamore dhe mbajtën një minutë heshtje në nderim të të vrarëve në sulmin me bombë atomike që shpërtheu në orën 11:02 të paradites së 9 gushtit 1945.

Bomba atomike, Little Boy, ra në Hiroshima në mëngjesin e 6 gushtit 1945 në orën 8:15. Ishte një bombë e bazuar në uranium me një fuqi shkatërruese prej 15-16 kilotonë TNT. Bomba kishte formën e një cilindri, 305 cm e gjatë, 71 cm në diametër dhe peshonte rreth katër tonë, nga të cilat 60 kilogramë ishin uranium.

Bomba u hodh nga një lartësi prej 10.000 metrash dhe shpërtheu rreth 550-580 metra mbi tokë për të marrë efektin maksimal. Supozimet janë se deri në fund të vitit 1945, numri i viktimave si rezultat i bombës atomike u rrit në 140.000.

Vetëm tri ditë më vonë, më 9 gusht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën bombën e dytë bërthamore, këtë herë në qytetin japonez të Nagasakit, rreth 300 kilometra në jugperëndim të Hiroshimës.

Burimi: AA