Skip to content

Ambasada e Rusisë në Kajro kritikon kryeministrin izraelit për sulmet në Gaza

Ambasada e Rusisë në Kajro kritikoi kryeministrin e Izraelit, Yair Lapid për sulmet e fundit në Rripin e Gazës.

Në postimin në llogarinë zyrtare në Twitter të ambasadës ruse thuhet: “Krahasoni gënjeshtrat e Yair Lapid për ‘njerëzit e vrarë brutalisht nga nazistët në Bucha’ në prill me thirrjet e tij për sulm në Gaza në gusht. A nuk është ky standard i dyfishtë duke shpërfillur dhe nënçmuar jetët e palestinezëve?”.

Lapid bëri një postim që dënonte vrasjen e civilëve nga ushtarët rusë në qytetin ukrainas, Bucha në prill, duke thënë: “Është e pamundur të qëndrosh indiferent ndaj imazheve që vijnë nga qyteti Bucha pas tërheqjes së ushtrisë ruse. Dëmtimi i popullatës civile është krim lufte dhe e dënoj fuqishëm këtë incident”.

– Sulmet izraelite në Gaza dhe armëpushimi

Të premten, më 5 gusht, Izraeli goditi objektivat në Gaza për të cilat pretendonte se i përkisnin Lëvizjes Xhihadi Islamik, me arsyetimin se ajo po përgatitej të sulmonte.

Pas sulmeve, një seri raketash u hodhën nga Gaza në drejtim të Izraelit. Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës, humbën jetën 46 persona, 14 fëmijë dhe 4 gra, ndërsa nga pala izraelite nuk pati asnjë humbje.

Armëpushimi mes palëve ka hyrë në fuqi më 7 gusht.
Burimi: AA