11 tetor- Kompania Shell Upstream Albania organizoi sot në sallën e Galerisë së Arteve “Edward Lear” në Berat një aktivitet ku u promovuan nxënësit fitues nga Programi i Bursave Shell 2018-2019.
Programi i Bursave Shell përqendrohet në zonën ku kjo kompani operon, duke mbështetur me bursa 5 studentë që dëshirojnë të studiojnë në profilet STEM dhe lëndët në lidhje me naftën dhe gazin.
Nëpërmjet kësaj burse studentët përfitojnë 4000 USD në vit, shumë e cila mbulon tarifat e studimit të tyre.
Merrnin pjesë në këtë aktivitet përfaqësuesi i SHELL Upstream Albania, z. Rohan D‘Souza, Zëvendësministri i Energjisë, Enis Aliko, Prefekti i Qarkut të Beratit, Harilla Dafa, Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, Kryetarja e Urës Vajgurore, Juljana Memaj, përfaqësues të institucioneve vendore, nxënës të shkollave etj.
Përfaqësuesi i Shell, Rohan D‘Souza, falënderoi pushtetin vendor për bashkëpunimin dhe theksoi se “kompania Shell do të investojë jo vetëm në infrastrukturën e zonave ku ajo operon, por edhe në shërbime sociale, sidomos te të rinjtë, në fushën e arsimit dhe të dijes”.
Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi Kompaninë Shell për mbështetjen e të rinjve në fushën e studimeve universitare, duke ofruar bursa bursa studimi për studentët e Beratit.
“Investimi më i madh është investimi në burime njerëzore, sepse, nëse nuk ke njerëzit e duhur për të menaxhuar si duhet burimet financiare, atëherë do të mungojnë rezultatet e pritshme. Shpresoj që studentët që mbështeten me bursa nga Kompania Shell të arrijnë rezultate maksimale dhe të kenë një karrierë të suksesshme, pikërisht këtu në qytetin e tyre”, u shpreh Kryebashkiaku Sinaj.
Në fund të aktivitetit u ndanë certifikata për nxënësit fitues të bursave.







