Skip to content

Kallëzoi penalisht Autoritetin e Dosjeve/ Meta rendit 6 veprat penale

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë në një konferencë për media, ku ka dhënë më shumë detaje nga kallëzimi penal që depozitoi në SPAK për Autoritetin e Dosjeve.

 

Meta shprehet se Autoriteti ka kryer 6 vepra penale, që sipas tij ka vepruar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

 

“Sot, kam depozituar pranë organeve të drejtësisë kallëzimin penal ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, lidhur me shkeljet flagrante dhe të qëllimshme, të ligjit nga ana e tyre, në shërbim të verbër të sulmeve politike të kryeministrit Edi Rama lidhur me mua si ish-President I Republikës, dhe Kryetar i Partisë së Lirisë, forca e dytë opozitare në vend.

 

Anëtarët e AIDSSH kanë konsumuar të paktën 6 vepra penale, të cilat janë:

 

Shpërdorim Detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
Falsifikim i Dokumenteve shtetërore, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal;
Falsifikimi kompjuterik, parashikuar nga neni 186/a i Kodit Penal;
Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal;
Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal;
Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal;

    të kryera në bashkëpunim”, tha Meta.