Skip to content

Pamje: tërmet në parlamentin e Lihtenshtajnit mes debatit për tërmetet

Një tërmet me magnitudë 3.9 të shkallës Rihter është ndjerë në parlamentin e Lihtenshtajnit mes një debati për nevojën e vendosjes së sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet, shkruan Euronews.

Videoja e publikuar nga Landtag, parlamenti i Lihtenshtajnit, tregon ligjvënësit që ndjejnë dy dridhje brenda sekondave.

Në lëkundjen e parë, deputetja pas kryeparlamentarit, Bettina Petzold-Maehr, qeshi, ndërsa pas lëkundjes së dytë më të fortë, kryetari i Kuvendit, Albert Frick, ndërpreu përkohësisht seancën dhe evakuoi deputetët.

https://www.youtube.com/watch?v=XpCj1wk5dkA

Policia në Lihtenshtajn njoftoi se kishte marrë “një numër të madh telefonatash nga qytetarët e shqetësuar”, por deri më tani nuk duket se ka të lënduar apo dëme materiale.

Tërmeti i parë ishte 2.4 ballë të shkallës Rihter dhe i dyti 3.9.

Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare, epiqendra e tërmetit ishte 19 kilometra në jug të qytetit austriak Dornbirn, dhe u ndje gjithashtu në disa pjesë të Zvicrës dhe në shtetet jugore të Gjermanisë, Bavari dhe Baden-Wuerttemberg.