Rusia është e gatshme të mirëpresë veprime, jo fjalë, që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e konfliktit Armeni-Azerbajxhan, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov lidhur me vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Jerevan.
“Gjithçka që nuk është vetëm fjalë, por në vepër, dhe jo deklaratë e profilit të lartë, jo populiste, por realiste, e qetë dhe në një frymë pune, mund të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve, mund të kontribuojë në stabilizimin e situatës në kufi, e gjithë kjo mund të mirëpritet”, tha Peskov në një konferencë për media në Moskë.
Pelosi realizoi vizitën e saj të mërkurën pas armëpushimit që arritën Azerbajxhani dhe Armenia pas përleshjeve kufitare.
Në ceremoninë e vendosjes së kurorës në një monument armen, Pelosi u pa duke fshirë lotët e saj, që sipas disa analistëve ky akt u vlerësua si i orkestruar për të fituar pikë politike.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit në reagimin e saj tha se vizita e Pelosit në Armeni ka për qëllim të fitojë mbështetjen e lobit armen me afrimin e zgjedhjeve afatmesme të Kongresit Amerikan.
Përleshjet e fundit kufitare midis Azerbajxhanit dhe Armenisë rezultuan në qindra viktima nga të dyja palët.
Të dy vendet u përfshinë në një luftë në vitin 2020, ku Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe mbi 300 vendbanime dhe fshatra që ishin nën pushtimin armen për gati tri dekada. Luftimet përfunduan me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia.
Burimi: AA