Nga Dr. Alket Koroshi, mjek nefrolog

Një limon i plotë përmban 139 për qind të dozës së rekomanduar të vitaminës C. Kjo e bën limonin, një prej agrumeve më të mira për shëndetin e organizmit.

Përveç vitaminës C, limoni është i pasur edhe me vitaminën B6, A, E por edhe mineralet kalcium, hekur, magnez, kalium, zink, fosfor dhe bakër.

Limoni është një agrume e pasur me antioksidues që luftojnë sëmundjet si kanceri, diabeti, konstipacioni, tensioni i lartë i gjakut e të tjerë.

Në mjekësinë popullore besohet se lëngjet e pasura me vitaminë C mund të shkrijnë gurët në veshka, por këto pretendime nuk janë të mbështetura plotësisht nga shkenca.

Sidoqoftë, kjo e fundit pranon që lëngu i limonit është i mirë për shëndetin e veshkave.

Gurët e veshkave ndahen në 4 kategori sipas faktorit që nxit formimin e tyre.

Këtu përfshihet: faktori gjenetik, infeksioni në veshka, konsumi i tepruar i mishit, peshkut dhe guaskave të detit apo akumulimi i depozitave të kalciumit.

Gurët si pasojë e këtyre depozitave janë të zakonshme për ata që vuajnë nga këto gurë.

Si ndikon lëngu i limonit tek gurët në veshka

Lëngu i limonit përmban sasi të larta të acidit citrik dhe atij askorbik që njihet ndryshe si vitamina C. Këto acide ulin gjasat e formimit të gurëve në veshka si pasojë e depozitave të kalçiumit.

Citratet janë kripëra të acidit citrik që lidhen me kalciumin dhe bllokojnë formimin e gurëve. Duke marrë lëngun e dy limonëve të tretur në një gotë ujë çdo ditë, rriten citratet në urinë dhe pakësohet rreziku i gurëve në veshka.

Kësisoj, ekspertët thonë se lëngu i limonit mund të ndalojë formimin e gurëve në varësi të faktorit që i nxit ato.

Sasia e nevojshme e lëngut të limonit

Një sasi prej 60-120 ml lëng limoni ofron sasi të mjaftueshme të acidit citrik dhe shumë antioksidues që mirëmbajnë shëndetin e veshkave. Lëngu i limonit duhet të jetë i freskët dhe i shtrydhur nga një limon.

Lëngjet e paketuara nuk përmbajnë enzima apo ushqyes thelbësorë. Lëngun e limonit mund ta përzieni në çaj, mjaltë ose të bëni limonadë me të dhe ta pini rregullisht gjatë ditës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re