Florenc Bicerri, efektivi i rrugores që u arrestua me drogë në Turqi është përjashtuar menjëherë dhe përgjithmonë nga rradhët e uniformave blu.
Kështu është bërë e ditur nga Policia e Shtetit përmes një njoftimi për media, ku theksohet se është ngritur një grup i dedikuar për hetimin e këtij rastit.
Sipas bluve, Bicerri ka dalë nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit në datën 5 tetor 2022, ndërsa vijon bashkëpunimi me autoritetet turke për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera.
Reagim i Policisë së Shtetit
Në lidhje me një rast të trafikimit të lëndëve narkotike, të goditur nga autoritetet turke ju sqarojmë se:
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët turq, në lidhje me një rast trafikimi të lëndëve narkotike, në të cilin janë të përfshirë 3 shtetas shqiptarë, njëri prej tyre punonjës policie, ka ngritur një grup të dedikuar hetimor, për hetimin e rastit.
Sqarojmë se punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, shtetasi Florenc Bicerri, tashmë i arrestuar në Turqi, ka dalë nga Shqipëria, nëpërmjet Rinasit, më datë 05.10.2022.
Për këtë punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia e Shtetit.
Ndërkohë, grupi i dedikuar hetimor, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe me homologët turq, po vijon punën për zbardhjen e rrethaneve të rastit, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike.