Skip to content

Madagaskar, shkarkohet ministri i jashtëm për shkak të votës kundër Rusisë në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme i Madagaskarit, Richard Randriamandrato, është shkarkuar me dekret presidencial pasi në fillim të këtij muaji në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) ai votoi në favor të një rezolute që dënonte aneksimin “ilegal” të Rusisë të katër rajoneve të Ukrainës lindore.

“Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, gjenerali Rakotonirina Richard, është përkohësisht përgjegjës për Ministrinë e Punëve të Jashtme”, thuhet në një dekret të lëshuar nga Presidenca.

Presidenca njoftoi se ky vendim zbatohet “për shkak të urgjencës” dhe i përgjigjet “propozimit të kryeministrit Ntsay Christian”.

Autoritetet e vendit që nënshkruan dekretin nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi arsyet e shkarkimit.

Megjithatë, duke folur për mediat ndërkombëtare, Randriamandrato konfirmoi dje se ai ishte shkarkuar për dënimin e aneksimit të pjesëve të Ukrainës nga Rusia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 12 tetor.

Randriamandrato kishte mbajtur postin ministror për gati shtatë muaj pasi shërbeu si ministër i Financave dhe Buxhetit midis viteve 2019 dhe 2021.

Ndryshe nga ai, autoritetet e vendit, përfshirë gjeneralin Rakotonirina, kanë shprehur gjithmonë pozicionin e neutralitetit të Madagaskarit në konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë.

Madagaskari ishte ndër vendet afrikane që nuk e mbështeti rezolutën amerikane që dënonte pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Burimi: AA