Skip to content

Erdoğan: Shkatërrimi i Karabakut gjatë okupimit armen duhet të sillet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Shkatërrimi i rajonit të Karabakut gjatë okupimit të Armenisë duhet të sillet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

“Tani shikoj djathtas dhe majtas. Çfarë i bënë Jabrayil-it gjatë periudhës së okupimit? E pyeta Alijevin, a ka ardhur OSBE-ja apo BE-ja në këtë vend? Ai tha: ‘Jo. nuk erdhën’. Pse nuk erdhën, sepse do të shohin turpin e tyre, do të shohin se çfarë i bëri Perëndimi këtu Jabrayil-it dhe gjithë Karabakut duke i dhënë mbështetje gjatë procesit të pushtimit”, tha Erdoğan.

“Është e nevojshme të kërkohet kompensim duke i sjellë ata në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është e nevojshme t’i fusim në qoshe duke kërkuar kompensim”, tha Erdoğan në një konferencë shtypi me homologun e tij azerbajxhanas Ilham Aliyev në rrethin Jabrayil.

Konferenca për shtyp u organizua pasi dy liderët inauguruan së bashku Aeroportin Ndërkombëtar Zangilan, aeroportin e dytë të Azerbajxhanit në territoret e rifituara nga Armenia gjatë Luftës së Karabakut të vitit 2020.

Erdoğan tha se Türkiye është e gatshme të qëndrojë pranë Azerbajxhanit në të gjithë sektorët, veçanërisht në bujqësi, energji të gjelbër dhe qytete të zgjuara, si pjesë e Planit të Veprimit të Karabakut.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Nagorno-Karabakun, territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Baku çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi armen gjatë përleshjeve 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, të cilat përfunduan pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska. Marrëveshja e paqes festohet si triumf në Azerbajxhan.

Burimi: AA