Skip to content

Kremlini: Rrjedha Turke ka një potencial të rëndësishëm për rritjen e kapacitetit

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se ka një potencial të rëndësishëm për rritjen e kapacitetit ekzistues në tubacionin e gazit natyror “Rrjedha Turke” dhe se vazhdojnë bisedimet për krijimin e qendrës së gazit në Turqi.

Në një deklaratë për gazetarët në kryeqytetin Moskë, Peskov vuri në dukje se Turqia është një prej importuesve më të rëndësishëm të gazit rus.

Turqia dhe Rusia lidhen me linjën e tubacionit të gazit natyror “Rrjedha Turke”, shpjegoi Peskov, duke shtuar se “Rrjedha Turke ka një potencial të rëndësishëm për të rritur kapacitetin nëse është e nevojshme”.

Peskov bëri të ditur se Turqia ka paraqitur një qëndrim ndryshe nga vendet perëndimore dhe ka mundësitë e saj për të bërë ndërmjetësim. “Turqia kujdeset për interesat e saj kombëtare në aspektin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike që vazhdojnë me vendin tonë, ata nuk iu bashkuan praktikave sanksionuese të Perëndimit. Kjo siguron dobi edhe për popullin turk por edhe në aspektin e marrëdhënieve tona dypalëshe” tha ai.

Duke bërë të ditur se vazhdojnë bisedimet për dërgesat e gazit mes Turqisë dhe Rusisë, Peskov tha se “Bashkëpunimet me shumë formate nënkuptojnë kontakte të vazhdueshme, për këtë arsye vazhdojmë që të bisedojmë me Turqinë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Peskov foli edhe lidhur me uljen e mundshme të çmimit të gazit rus dhe shprehu se në tregtinë e gazit ndodhet një konjekturë globale dhe se të gjithë ndodhen brenda kufijve të arsyeshëm.

Pasi shpjegoi se janë qartësuar edhe detajet për krijimin e një qendre të gazit natyror në Turqi, Peskov vlerësoi se “Po punohet mbi detajet. Ne e dimë se këtu ka një pjesë shumë të rëndësishme lidhur me shitjen e gazit. Do të shohim linjat kryesore të projektit, teksa këto detaje bëhen të qarta”.

Burimi: AA