Skip to content

Von der Leyen në Shkup, nis turin Ballkanin Perëndimor

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur sonte me avion në Shkup, ku po fillon një turne nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Presidenti i Komisionit Evropian Von der Leyen dhe Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Ylva Johansson kanë një lajm të mirë dhe një arsye të mirë për vizitën e sotme në vendin tonë. Mirë se vini!”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiç.

Presidentja e Komisionit Evropian vjen pak ditë pas publikimit të raporteve vjetore për ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Rëndësia strategjike për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor

Qëllimi i turit është të “theksojë rëndësinë që BE i kushton marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor dhe perspektivës evropiane të asaj zone,” tha më parë zëdhënësi i Komisionit Eric Mamer.

Gjatë vizitës, von der Leyen do të shprehë solidaritetin me vendet e rajonit dhe gatishmërinë për bashkëpunim në përballimin e sfidave të përbashkëta, duke përfshirë edhe agresionin rus në Ukrainë, shtoi Mamer.

Von der Leyen e nis turim e saj të mërkurën në Maqedoninë e Veriut, të enjten do të vizitojë Kosovën dhe Shqipërinë, të premten në Bosnje dhe Serbi. Turi përfundon të shtunën me një vizitë në Mal të Zi.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka njoftuar më herët se më 6 dhjetor do të mbahet në Tiranë një samit i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin”, shkroi Michel në Twitter.