Skip to content

Rusia akuzon Britaninë për përfshirje në sulmin ndaj flotës së Detit të Zi dhe tubacioneve të gazit

Kremlini tha se inteligjenca ruse ka informacion në lidhje me përfshirjen e Londrës në sulmet ndaj tubacioneve të gazit Nord Stream dhe flotës së saj të Detit të Zi në portin e Sevastopolit.

“Shërbimet tona speciale… kanë prova se udhëheqja dhe koordinimi i sulmit në Gjirin e Sevastopolit është kryer nga konsulentët ushtarakë britanikë”, tha zëdhënësi Dmitry Peskov në një konferencë shtypi në Moskë.

“Ekzistojnë gjithashtu prova se Britania është e përfshirë në sabotim … një akt terrorist në infrastrukturën kritike të energjisë, tubacionet Nord Stream”, deklaroi ai.

Moska pret që pavarësisht heshtjes, kryeqytetet evropiane të analizojnë informacionin mbi përfshirjen e Londrës në sulmin ndaj tubacioneve të gazit Nord Stream, tha Peskov.

“Ne nuk mund t’i lëmë kot veprimet e tilla. Ne do të mendojmë për hapat e mëtejshëm… Do të bëjmë atë që duhet të bëjmë” theksoi ai.

Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja për eksportin e drithit ukrainas, pas asaj që Moska i quan sulme ndaj flotës së saj në Detin e Zi.

Në shtator, pati rrjedhje në tubacionet e gazit natyror Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, të cilat, sipas hetimeve, u shkaktuan nga një seri shpërthimesh që besohet se ishin “sabotim i qëllimshëm”.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore u ndërtua nga kompania shtetërore ruse e gazit Gazprom për shpërndarjen e gazit natyror nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik.

Rrjedhjet përkuan me hapjen e tubacionit Baltik, për të dërguar gaz natyror nga Deti i Veriut përmes Danimarkës në Poloni.

Burimi: AA