Komiteti Palestinez për Çështjet e të Burgosurve shprehu shqetësimin e tij për presionin në rritje ndaj të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Kreu i Komitetit për Çështjet e të Burgosurve Palestinezë, Kadri Abubakr i lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), u prononcua për AA lidhur me sulmet e gardianëve ndaj të burgosurve palestinezë në burgun Ofer, i cili është në pronësi të Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Abubakr deklaroi se të burgosurit palestinezë mbajtën disa protesta në përgjigje të sulmit nga rojet.
Duke thënë se këto hapa proteste janë një “paralajmërim”, Abubakr tha se “hapa të tjerë” mund të ndërmerren nëse Administrata e Burgut vazhdon të mos përgjigjet ndaj kërkesave për të ndaluar politikat e sulmit.
Ai theksoi se me ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme pas zgjedhjeve në Izrael, pritet që sulmet e Tel Avivit ndaj të arrestuarve të shtohen edhe më shumë dhe kjo situatë krijon shqetësim të thellë.
Pasi rojet rrahën 3 të burgosur palestinezë në burgun Ofer të Izraelit, në perëndim të Ramallahut, të burgosurit në burgjet izraelite vendosën të protestojnë dje për këto shkelje.
E djathta ekstreme e udhëhequr nga Benjamin Netanyahu fitoi në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme më 1 nëntor në Izrael.
Sipas lajmit të televizionit “Channel 13” me bazë në Izrael më 7 nëntor, Netanyahu u takua me ekstremistin e djathtë Ben-Gvir si pjesë e konsultimeve për formimin e një qeverie të re. Gjatë takimit, Ben-Gvir i bëri disa kërkesa Netanyahut si përkeqësimi i kushteve të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite dhe heqja e titullit “Zëdhënësi i të Burgosurve”.
Burimi: AA