Skip to content

Vdekja e një “terroristi të penduar” gjerman

Hans-Joachim Klein, dikur një anëtar i organizatës gjermane të së majtës ekstreme “Bërthamat Revolucionare”, një shok i penduar në krahët e famëkeqit Carlos çakalli, u varros dje të hënën në Francën perëndimore, ku gjeti strehim në 1990 gjatë arratisjes së tij.

Ai vdiq më 9 nëntor në moshën 75-vjeçare, sipas një nekrologjie të publikuar nga familja. Varrimi i tij u bë dje pasdite në St. Honoren La Guillaume, në Normandi, ku u strehua në vitin 1993 me një identitet të rremë, deri në arrestimin e tij pesë vjet më vonë nga policia antiterroriste.

Hans-Joachim Klein u dënua në Gjermani në vitin 2001 me nëntë vjet burg për rolin e tij në pengmarrjen e OPEC-ut në Vjenë në dhjetor 1975, një sulm i orkestruar nga terroristi venezuelas Ilitch Ramirez Sanchez, ose Carlos çakalli.

Grupi prej gjashtë personash të armatosur vrau një truprojë irakian, një polic austriak dhe një zyrtar të OPEC-ut përpara se të merrte peng 70 zyrtarë.

Hans-Joachim Klein asnjëherë nuk e mohoi se ai mori pjesë në këtë aksion. Në vitin 1977, ai rrëfeu përfshirjen e tij përmes revistës së përjavshme gjermane Der Spiegel dhe siguroi se tani kishte hequr dorë nga terrorizmi.

Ai u lirua nga autoritetet gjermane në vitin 2003 dhe u kthye në St. Honoren La Guillaume, ku ka jetuar që atëherë, sipas rrëfimeve të publikuara në shtypin vendas.