Zëvendës ministri i jashtëm grek Georgios Katrougalos në një intervistë për mediat ka deklaruar se negociatat me Shqipërinë për marrëveshjen e detit kanë përparuar në mënyrë të konsiderueshme.

 

“Negociatat me Shqipërinë kanë përparuar në mënyrë të konsiderueshme, por ka ende aspekte që kërkojnë ende punë. Nga pala shqiptare mbetet akoma i paplotë stafi i Gjykatës Kushtetuese, mendimi i së cilës konsiderohet i nevojshëm nga politika e vendit fqinj për të përfunduar procesin e negociatave”.

 

Diplomati grek u shpreh se zgjerimi i hapësirës detare është e drejtë legjitime dhe e patjetërsueshme sovrane e Greqisë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

 

Duke iu referuar përplasjeve të fundit me Turqinë për shtrirjen e ujërave greke nga 6 deri në 12 milje, zëvendësministri grek u shpreh se vendi i tij ka të drejtë të zgjerojë hapësirën atëherë kur e sheh të arsyeshme.

 

Sipas tij kjo e drejtë është e pakushtëzuar dhe nuk vihet në dyshim e nuk negociohet me palët e treta.

 

Vazhdimisht Athina dhe Tirana kane deklaruar se janë pranë marrëveshjes për detin por ende nuk ka një produkt konkret.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re