Nga: Sali Shasivari
Fillimisht më duhet t’i sqaroj lexuesit të nderuar se, me nën-titullin e lartëpërmendur, nuk kam për qëllim që të rrëfej ‘faktografi historike’, ashtu siç mund të krijohet përshtypja në shikim të parë, ngase, kjo përgjegjësi ju takon historianëve…; por ajo që kam për qëllim të theksoj, është qasja kritike mbi mënyrën se si trajtohet dhe studiohet historia e largët, e afërt, dhe ajo aktuale e popullit shqiptar, dhe se, si, e njejta, kultivohet dhe servohet në ditët e sotme…
Kështu, përreth faktit që, ‘100 Vjetori’ dhe ‘110 Vjetori’ i Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqipëtar paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të popullit shqiptar, shumica e të dhënave historike që u paraqitën dhe u trajtuan në vigjilje të këtyre dy jubileve, jo vetëm që ishin të pakta dhe të zbehta, por ato nuk i tejkalonin kornizat e të qenurit “histori për histori”…; me ç’rast, përpos dozës së madhe të ‘turbo-folkut’ që ngërthenin në vete, një pjesë bukur e madhe e tyre vazhdonin të frymojnë në frymën e ‘interpretimit marksist’ dhe ‘ideologjisë komuniste’, frymë kjo në të cilën është shkruar pjesa më a madhe e historisë sonë…!
Për pasojë, të dhënat e ofruara, shpesh tingëllonin të paqarta, kontradiktore dhe në kundërshtim me shpirtin dhe idetë e atyre të cilët e projektuan dhe e realizuan projektin e ngritjes së flamurit…!
Thënë ndryshe, verzioni historik i ngjarjeve të flamurit, i cili u plasua, më tepër i ngjante një historie hibride dhe të sinkronizuar, e ‘prerë dhe e qepur’ për masën e qarqeve, politikave, si dhe politikanëve shqiptarë që qeverisin…; histori kjo, e cila është në disproporcion të plotë me përmasat e flamurit i cili u ngrit dikur, si dhe vizionarëve që qëndronin pas një ngjarje të tillë…!
Në këtë mënyrë, ajo që u plasua, dhe që vazhdon të plasohet, më shumë i ngjanë ‘histerisë’, se sa historisë…!!!
Kështu për shembull, përreth faktit që Historia shqiptare ndahet në tri periudha kryesore, edhe atë, në: 1.‘Periudhën Romake dhe Bizantine’ (deri në vitin 1389), 2.’Periudhën Osmane’ (1389-1912), dhe, 3.’Periudhën Post-Osmane’ (1912- …)…; i gjithë fokusi dhe debati u përqëndrua – dhe vazhdon të përqëndrohet – në ‘Periudhën Osmane’ (1389-1912)…; duke, hedhur helm e vrerë vetëm mbi këtë periudhë, si dhe, duke e shpallur të njejtën si ‘fajtore kryesore’ për të gjitha problemet dhe fatkeqësitë që i kanë përjetuar, po i përjetojnë, dhe të cilat do t’i përjetojnë në të ardhmen shqiptarët…!
Ndërsa, në anën tjetër, nuk dëgjuam – dhe nuk po dëgjojmë – thuajase asgjë në lidhje me asimilimin kulturor dhe asgjësimin biologjik të ilirëve / shqiptarëve përgjatë sundimeve romake, bizantine, bullgare e serbe (deri në vitin 1389), si dhe në lidhje me kulturocidin dhe gjenocidin të cilit iu nënshtruan shqiptarët përgjatë kësaj periudhe…! (Shih librin: “Ekskomunikimi si Histori e Fshehur”, nga Milazim Krasniqi).
Poashtu, nuk dëgjuam – dhe nuk po dëgjojmë – thuajase asgjë në lidhje me ’Periudhën Post-Osmane’ (1912- …), duke përfshirë këtu ‘Luftërat Ballkanike, ‘Krimet e ‘Kralevinës’’ (Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene), si dhe, ‘Krimet Komuniste’…; e, ‘çe-besa’, edhe ‘Krimet e Periudhës Post-Komuniste’…!!!
Mbase, dikujt i konvenon që shqiptarët të vazhdojnë ‘betejat imagjinative’ kundër një perandorie që ka pushuar së ekzistuari, përderisa të tjerët vazhdojnë ta ‘rrjepin për së gjalli’ edhe atë ‘trup’ të cunguar dhe të molisur të qenies shqiptare…; gjithmonë nën parulla të rrejshme dhe mirakëndëse…!
Nën hijen e kësaj ‘amnezie historike’, dhe, kësaj ‘traume identitare’, shqiptarët, me vetëdije apo pa vetëdije, po ngatërrojnë ‘miqët për armiq’, dhe ‘armiqët për miq’…; edhe atë, deri në atë masë, sa që, ata shpeshherë dalin kontradiktor dhe qesharak deri në përmasa tragji-komike…!
Duke marë parasyshë një realitet të këtillë, dhe duke patur parasyshë parimin i cili thotë se “Historia është përshkrim i asaj që në realitet ka ndodhur, e jo asaj që mendojmë se ka ndodhur, apo asaj që dëshirojmë të kishte ndodhur” …; të gjithë ne, si popull, duhet kuptuar një herë e përgjithmonë nevojën për një ‘lëvrim’ më të mirëfilltë të historisë sonë kombëtare, bazuar në fakte, dokumente, dhe të dhëna arkivore…; larg nga ideologjizmat dhe animet…!
Është momenti i fundit që të rishikojmë faktorët, ngjarjet, dhe rrjedhat e historisë sonë kombëtare në përgjithësi…; si dhe, të reflektojmë mbi ‘shkaqet dhe pasojat’, ‘gabimet dhe lëshimet’, dhe ‘mesazhet dhe mësimet’…!
Kjo, ngase, ‘Historia që nuk mësohet, përsëritet’…!!!
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



