Turqia u zotua se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj në Detin Egje dhe Mesdheun Lindor, si dhe në ishullin e Qipros.
“Është e pamundur që ne të ndalojmë mbrojtjen dhe ruajtjen e të drejtave dhe interesave tona në Egje, Mesdheun Lindor dhe në Qipro”, tha ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, gjatë vizitës që i bëri nëndetëses “Piri Reis”, një nga gjashtë nëndetëset e klasit Reis të Turqisë.
Ai i tha personelit të nëndetëseve se “detyra të rëndësishme dhe të gjera” e presin marinën turke në epokën e ardhshme. Akar nënvizoi nevojën për dialog për të kapërcyer tensionet me mjete paqësore.
Turqia, anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, është ankuar për retorikë provokuese dhe veprime të përsëritura nga Greqia në rajon kohët e fundit, duke përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që duhet të jenë të çmilitarizuara sipas traktatit. Ankaraja thotë se lëvizje të tilla pengojnë përpjekjet e saj qëllim-mirë për paqen.
Akar tha se Athina përpiqet të krijojë një imazh negativ të Turqisë duke përdorur terma si “neo-otomanizëm, revizionizëm dhe ekspansionizëm”. Turqia tha ai, kërkon takime konsultimi me Greqinë dhe negociata drejt ndërtimit të besimit.
“Ata nuk po vijnë, por hedhin shpifje të ndryshme me pretendime të rreme dhe të pabaza”, shtoi ai.
Duke i bërë thirrje Greqisë të kujtojë historinë, Akar tha: “Ne nuk do të lejojmë asnjë fakt të kryer apo asnjë shkelje të të drejtave tona duke u provokuar nga Greqia”.
Duke iu përgjigjur raporteve se Athina planifikon të zgjerojë ujërat territoriale rreth ishullit të Kretës në 12 milje detare, Akar tërhoqi një vijë të kuqe kundër çdo zgjerimi të ujërave territoriale greke në detin Egje.
Vendimi i Parlamentit turk të vitit 1995, paralajmëron se nëse Greqia rrit ujërat e saj territoriale në Detin Egje përtej 6 miljeve, parlamenti do t’i japë “të gjitha kompetencat”, përfshirë kompetencat ushtarake, qeverisë për të mbrojtur interesat e Türkiye-s.
Akar tha se Turqia nuk është kërcënim për askënd dhe nuk e ka kërcënuar Greqinë, përkundrazi është “një aleat i fortë, i besueshëm dhe efektiv”.
– Mosmarrëveshja disa dekadashe e Qipros
Lidhur me Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), Akar tha se Ankaraja vazhdon përpjekjet e saj që TRNC të njihet zyrtarisht në arenën ndërkombëtare.
“Ne i themi Greqisë që të mos bëjë llogari të gabuara dhe të mos zgjedhë rrugë të gabuara, por të mësojë nga historia”, tha ai.
Qiproja është zhytur në një mosmarrëveshje prej dekadash midis grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, pavarësisht nga një sërë përpjekjesh diplomatike nga OKB për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Sulmet etnike që filluan në fillim të viteve 1960 i detyruan qipriotët turq të tërhiqen në enklava për sigurinë e tyre.
Në vitin 1974, një grusht shteti nga grekët e Qipros që synonte aneksimin nga Greqia çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiye-s si një fuqi garantuese për të mbrojtur turqit e Qipros nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, në vitin 1938 u themelua TRNC-ja.
Vitet e fundit ka pasur një proces paqësor me ndërprerje të njëpasnjëshme, përfshirë edhe iniciativën e dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Administrata greke e Qipros Jugore në vitin 2004 u anëtarësua në Bashkimin Evropian (BE), në të njëjtin vit kur grekët e Qipros penguan planin e ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë.
Burimi: AA