Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, njoftoi se vendi i tij do të dërgojë ekipet e saj në Turqi për të kontribuar në operacionet e shpëtimit pas tërmeteve shkatërruese që goditën pjesën jugore të vendit, transmeton Anadolu.

“Me kërkesë të presidentit Emmanuel Macron, 139 pjesëtarët e parë të mbrojtjes civile do të nisen për në Turqi mbrëmjen e sotme në kuadër të mekanizmit evropian të solidaritetit”, shkroi Gerald Darmanin në Twitter.

Ai shtoi se Franca “qëndron në solidaritet të plotë me Turqinë në këto rrethana të tmerrshme”.

Të paktën 1.498 njerëz kanë humbur jetën dhe 8.533 të tjerë u plagosën nga dy tërmetet e fuqishme që goditën provincën Kahramanmaras të Turqisë jugore, sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Sipas AFAD, lëkundjet e para me magnitudë 7.7 ballë dridhën tokën në orën 04:17 të mëngjesit sipas kohës lokale, epiqendra e të cilit ishte në Pazarcik të provincës Kahramanmaras dhe preku rëndë disa provinca të tjera.

Tërmeti u ndje edhe në disa vende të rajonit, duke përfshirë Libanin dhe Sirinë.

Kjo u pasua nga një tërmet me magnitudë 7.6 ballë në orën 13:24 sipas kohës lokale, epiqendra e të cilit ishte në qarkun Elbistan të Kahramanmarasit.

Të paktën 810 njerëz humbën jetën dhe 2.315 të tjerë u plagosën në Siri nga tërmetet, sipas shifrave të përpiluara nga Ministria e Shëndetësisë e regjimit dhe të Mbrojtjes Civile Siriane.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re