Rusia do të dërgojë një ekip shtesë kërkim-shpëtimi prej 50 personash, 11 mjekë dhe pajisje në Türkiye për të marrë pjesë në aktivitetet mbështetëse në rajonet e prekura nga tërmetet në Kahramanmaraş, transmeton Anadolu.
Danil Martinov, këshilltari i ministrit rus të situatave emergjente që gjendet në Türkiye, për kanalin shtetëror rus “Rossiya-24” tha se ata vazhdojnë aktivitetet e tyre mbështetëse në rajonet e prekura nga tërmetet në Kahramanmaraş.
Martinov tha se një ekip shtesë kërkim-shpëtimi do të dërgohet nga Rusia në Türkiye. “Një grup i tretë po niset nga Rusia për mbështetje. Kjo do të thotë edhe 50 persona të tjerë. Ata po marrin me vete pajisje dhe gjithçka që është e nevojshme për të ofruar ndihmë të mëtejshme”, tha ai.
Këshilltari rus i Shëndetësisë, Aleksey Kuznetsov tha se një ekip mjekësh do të dërgohet në Türkiye. “Me udhëzimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin një ekip prej 11 mjekësh do të dërgohet në Türkiye për të ndihmuar viktimat e tërmetit”.
Ministria e Situatave të Emergjencave të Rusisë më 6 shkurt dërgoi në Türkiye 2 avionë Il-76 dhe një ekip kërkim-shpëtimi prej 100 personash për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.
Burimi: AA