Skip to content

Vuçiq paralajmëron më shumë ndihmë për rajonet e goditura nga tërmeti në Turqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se mbështetja fillestare e Serbisë për Türkiye-n e goditur nga tërmeti është “vetëm fillimi” dhe do të vazhdojë në ditët në vijim.

“Ne jemi me ju dhe ky është vetëm fillimi i mbështetjes sonë për Türkiye-n”, tha Vuçiq për Anadolu.

“Sapo fola me ambasadorin për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrim, përfshirë mbështetjen financiare për zonat e goditura nga tërmeti katastrofik”, shtoi ai duke iu referuar Ambasadorit të Republikës së Türkiye-s në Beograd, Hami Aksoy.

Vuçiq tha se Serbia do të dërgojë më shumë personel për kërkim-shpëtim, personel ushtarak si dhe ndihmë humanitare, duke shtuar: “Ne do të shohim se çfarë tjetër mund të bëjmë”.

“Ne jemi me ju dhe do të bëjmë shumë më tepër në ditët në vijim”, theksoi presidenti serb.

Vuçiq shkroi në librin e zisë për Türkiye-n në Ambasadën Turke në Beograd, duke shprehur pikëllimin e kombit serb për tërmetet vdekjeprurëse.

“Doja të shpreh, në emër të kombit, ngushëllimet tona më të thella për popullin turk, udhëheqësinë turke, për të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre”, tha Vuçiq.

Ndërkohë, Ambasadori i Türkiye-s në Beograd, Aksoy tha se populli dhe udhëheqësia serbe kanë treguar edhe një herë mbështetje të madhe për Türkuye-n, duke shtuar se marrëdhëniet dypalëshe janë në nivelin më të lartë në histori.

Më herët, me udhëzime të presidentit, Serbia dërgoi në Türkiye dy ekipe të kërkim-shpëtimit me 45 pjesëtarë të personelit.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë sipas shkallës së Rihterit me epiqendër në provincën Kahramanmaraş, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz. Disa vende të rajonit, përfshirë Sirinë, gjithashtu ndjenë pasoja nga lëkundjet e forta.

Burimi: AA